Një valë e nxehti ekstrem po shkakton zjarre masive në pyje të Evropës Jugore, duke detyruar evakuimin e mijëra qytetarëve nga shtëpitë e tyre. Autoritetet kanë paralajmëruar se sezoni i zjarreve ka nisur më herët se zakonisht, për shkak të kushteve të thatësirës dhe temperaturave të larta.
Qindra zjarrfikës janë angazhuar në Portugali, Spanjë, Francë dhe Greqi për të frenuar flakët, të cilat deri tani kanë shkatërruar më shumë se 19 mijë hektarë tokë. Situata pritet të përkeqësohet, me parashikime që tregojnë temperatura deri në 40 gradë Celsius në disa zona të kontinentit.
Një nga vatrat më të rrezikshme ndodhet në jugperëndim të Francës, pranë qytetit Perpignan, ku rreth 700 zjarrfikës, mbështetur nga avionë të specializuar, janë angazhuar në luftën kundër një zjarri të madh. Më shumë se 10 mijë banorë janë detyruar të evakuohen, ndërsa flakët kanë përfshirë rreth 4,600 hektarë, duke u nxitur nga erërat e forta, temperaturat e larta dhe ajri i thatë.
Zjarret shpërthyen menjëherë pas një vale të nxehti ekstrem që goditi Evropën gjatë qershorit, një nga më të rrezikshmet e të gjitha kohërave. Sipas shkencëtarëve nga organizata World Weather Attribution, kjo valë e të nxehtit, që ka shkaktuar mijëra viktima, do të kishte qenë “pothuajse e pamundur” pa ndikimin e ndryshimeve klimaterike.
Autoritetet franceze paralajmërojnë se sezoni i zjarreve do të jetë i gjatë dhe i vështirë. Koloneli i shërbimit francez të zjarrfikësve, Eric Belgioino, ka bërë thirrje për respektimin e masave të sigurisë nga ana e banorëve: “Sezoni do të jetë i gjatë, duhet të na ndihmoni.”
Zjarret kanë prekur gjithashtu vende të tjera në rajon. Në Greqi, dy fabrika në Selanik u vunë në flakë gjatë fundjavës, duke detyruar autoritetet të evakuojnë zonën dhe të këshillojnë banorët të mbajnë dritaret mbyllur për shkak të tymit.
Në Spanjë, një zjarr pranë bregdetit të Costa Brava ka djegur mbi 2,200 hektarë tokë në vetëm dy ditë, ndërsa zjarrfikësit paralajmërojnë se temperatura e lartë dhe vatrat aktive do të e bëjnë shuarjen e flakëve edhe më të vështirë.
Zjarre të mëdha janë raportuar gjithashtu në ishullin e Hvarit në Kroaci dhe në zonat e Talës në Shqipëri, ku qindra hektarë pyje, shkurre dhe sipërfaqe bujqësore kanë pësuar dëme të rëndësishme.
Për më tepër, autoritetet në Portugali, Spanjë dhe Francën jugore kanë ngritur nivelin e alarmit për shkak të një vale të re të nxehti, e cila pritet të përhapet drejt veriut të Evropës dhe të zgjasë deri në fundjavën e ardhshme.

