Fermerët e qumështit në Kosovë kanë protestuar pranë Ministrisë së Bujqësisë, duke shprehur shqetësimin e tyre për situatën aktuale dhe politikat që ndikojnë në sektorin e qumështit.
Me pankarta që lexonin “Mos na leni pa bukë”, “Mos prekni vendet e punës” dhe “Mos e dobësoni industrinë vendore”, fermerët kërkuan që menjëherë të rinisë grumbullimi i qumështit. Ky proces ka mbetur i pezulluar për katër ditë, duke pregatitur terrenin për mbylljen përkohshme të qumështores Vita.
Fidan Krasniqi, përfaqësues i Shoqatës së Qumështarëve, njoftoi se ata kanë trokitur vazhdimisht në dyert e ministrisë për të adresuar situatën dhe për të kërkuar masa konkrete.
“Ne jemi këtu si përfaqësues të prodhuesve të qumështit për të mbështetur anëtarët tanë, pikat grumbulluese dhe të gjithë aktorët e përfshirë, sepse ne prodhojmë qumështin për këtë vend dhe këtë popullatë,” u shpreh ai.
Krasniqi theksoi se qysh prej një viti ata po kontaktojnë institucionet përkatëse rreth situatës dhe kërkojnë mbështetje për të garantuar investimet dhe sigurinë e produkteve, në mënyrë që të sigurohet konkurrenca e barabartë, pa ndikimin e importeve me çmime të subvencionuara nga vende si Serbia, Bosnja dhe Maqedonia e Veriut. “Të gjithë ju e dini se për çfarë produktesh bëhet fjalë dhe na akuzoni ne për çmimet e ulëta të këtyre produkteve,” nënvizoi ai.
Ai sqaroi se sot është një moment kritik, pasi është katër ditë që ata nuk kanë mundur të dorëzojnë qumështin. “Prodhuesit vendorë janë në një situatë të pafavorshme; shumica prej tyre kanë qenë fermerë që kanë dorëzuar qumështin në qumështoren ‘Vita’. Është e rëndësishme që publiku ta kuptojë se qumështi ‘Vita’ është i Kosovës, jo i Serbisë,” tha ai.
“Kërkojmë me urgjencë që grumbullimi i qumështit të rinisë tani dhe që Qeveria të ndalë importet nga rajoni me çmime dumping. Deri kur do të vazhdojë kjo praktikë? Duhet të ndërmerren politika për ta zgjidhur këtë çështje një herë e mirë,” shtoi ai.
“Lopët nuk janë çezme. Nuk mund t’i ndalim sot të mos prodhojnë dhe të presim për një moment të përshtatshëm. Shumica e këtyre fermerëve janë të lidhur me kredi që ata duhet t’i paguajnë. Nuk është e drejtë të luhet me dinjitetin e tyre. Kërkojmë urgjentisht një takim dhe zgjidhje për këtë situatë, për të bashkëpunuar me ministrat e angazhuar,” përfundoi ai.
Kushtrim Tigani, përfaqësues i qumështores “Vita”, bëri thirrje që rezultatet e analizave të publikohen sa më shpejt.
“Ne jemi qumështorja më e madhe në Kosovë dhe grumbullojmë mbi 50% të qumështit të vendit. Të gjithë ata bujq sjellin më shumë se 100 mijë litra qumësht çdo ditë. Disa individë që përhapin informacion të keq për fermerët tanë, po bëjnë të pamundurën për të dëmtuar reputacionin e tyre. I bëj thirrje ministrit të Bujqësisë dhe AUV-it që të publikojnë sa më parë rezultatet e analizave lidhur me praninë e qumështit pluhur, pasi e dinë se nuk ka qumësht pluhur. Një analizë e qumështit të ‘Vita’ mund të marrë javë për të dalë me rezultatet,” tha ai.
Vendimi për organizimin e protestës erdhi nga Shoqata e Fermerëve Kosovarë të Qumështit, e cila e konsideroi protestën të domosdoshme pas ndërprerjes së grumbullimit të qumështit të freskët, një situatë që rrezikon seriozisht të ardhmen e shumë prodhuesve lokalë.
Protesta u zhvillua gjithashtu pas mbylljes së përkohshme të fabrikës ‘Vita’ në Istog, si rezultat i një aksioni nga autoritetet.
Nëpërmjet protestës, fermerët kërkojnë masa të menjëhershme nga institucionet për të zgjidhur krizën dhe kanë paraqitur tri kërkesa kryesore:
-rifillimi i menjëhershëm i grumbullimit të qumështit të freskët;
-publikimi urgjent i rezultateve të analizave për të qartësuar cilësinë e produkteve vendore;
-rikthimi i çmimit të mëparshëm të qumështit, duke theksuar se ulja e çmimit po i çon shumë ferma drejt falimentimit.
Pasi përfundoi protesta, ministri i Bujqësisë në detyrë, Armend Muja, pranoi disa përfaqësues të fermerëve në një takim.
Nga Monitor

