Protestat në Tiranë, së bashku me thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, tashmë po gjejnë pasqyrim edhe në mediat ndërkombëtare, duke shkaktuar reagime dhe analiza rreth klimës politike në vend.
Në një artikull të thelluar të publikuar në gazetën italiane Il Foglio, gazetari Nicola Mirenzi e quan këtë fenomen “revolta e rrugës” dhe shqyrton arsyet që, sipas tij, i kanë shtyrë qytetarët të kërkojnë largimin e kryeministrit dhe klasës së vjetër politike.
Artikulli evidenton se Rama ka qenë për një periudhë të gjatë një figurë e paraqitur në Perëndim si moderne, pro-europiane dhe reformuese, por situata aktuale politike dhe protestat e intensifikuara kanë ndikuar në mënyrën se si perceptohet ai.
Në këtë kontekst, Mirenzi ka kërkuar mendimin e ish-ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati, i cili ka theksuar se injorimi i pakënaqësisë qytetare mund të ketë pasoja të rënda politike.
“Të mohosh zemërimin popullor që ka pushtuar rrugët ka një kosto të lartë,” i ka thënë ai gazetës italiane.
Siç raportohet në artikull, reagimi i kryeministrit ndaj protestave ka qenë i fortë dhe shpesh i polemizueshëm. Ai fillimisht i ka injoruar zhvillimet, pastaj ka faktiuar ndikimin e huaj dhe teori konspirative, duke lidhur protestuesit me interesa ndërkombëtare.
“Edhe për këtë arsye, Edi Rama reagoi ndaj protestës me bezdi. Në fillim e injoroi, ashtu siç bënë edhe shumë media. Më pas foli për ndërhyrje të huaja. Shqiptarët, sipas tij, po përdoreshin si ‘mish për top’ në një fushatë globale kundër Trumpit. Pastaj tha se ishin viktima të një hakmarrjeje nga Irani, pasi qeveria shqiptare kishte ofruar mbrojtje për një grup politik kundër ajatollahëve. Më në fund, arriti te pista greke: Greqia, sipas tij, po nxiste revoltën për t’i marrë Shqipërisë turistët.
Kur u intervistua nga Financial Times, Rama iu përgjigj protestuesve me fjalë vulgare. ‘Njerëzit thonë se unë jam kreu i gjithë kësaj. Unë u them: ‘shkoni në djall’ (fjalë për fjalë: ‘shkoni q***’). Kaq e thjeshtë. Nuk më takon mua të provoj se nuk jam Kumbari; u takon atyre të provojnë se jam.’, u shpreh Bushati
Artikulli nënvizon se përplasje mes qeverisë dhe protestave po ndikon jo vetëm në klimën politike të brendshme, por gjithashtu edhe në imazhin ndërkombëtar të kryeministrit, i cili për vite është konsideruar si një aleat i rëndësishëm i Perëndimit në rajon.

