Policia ka rishikuar informacionet rreth aksidentit tragjik që ndodhi rreth orës 15:00 në autostradën Durrës–Tiranë, në segmentin nga Qafë Kashar deri në Casa Italia. Sipas njoftimeve të reja, ndryshe nga ato të para, aksidenti rezultoi në humbjen e një jete dhe jo dy.
Siç njoftohet zyrtarisht, drejtuesi i autobusit, R. H., banues në Kombinat, Tiranë, ka humbur jetën.
Po ashtu, 12 pasagjerë kanë pësuar lëndime nga aksidenti, përkatësisht më pak se 15 siç ishte raportuar në fillim.
Përveç kësaj, 7 nga të lënduarit ndodhen në gjendje të rëndë, ndërsa 5 të tjerë kanë marrë lëndime të lehta dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Të gjithë ata po marrin ndihmën mjekësore të nevojshme.
Policia thekson se konfuzioni në informacionet e para ka ardhur si pasojë e situatës së rëndë në vendngjarje dhe transportit të të lënduarve në disa spitale të ndryshme.
Një fëmijë, i cili arriti në një spital privat pa shenja jete dhe fillimisht u raportua si viktimë, u shpëtua falë ndërhyrjes së ekipit mjekësor. Më pas, ai u transportua në Spitalin Ushtarak, ku aktualisht është nën kujdes intensiv.
Njoftimi i policisë:
Përditësim informacioni dhe saktësim i të dhënave për aksidentin e rëndë rrugor, të ndodhur rreth orës 15:00, në autostradën Durrës–Tiranë, në segmentin Qafë Kashar–Casa Italia.
Në vijim të deklaratës për media të dhënë nga Drejtori i Policisë Rrugore, Drejtues i Parë Perlat Vatoci, u njoftua se si pasojë e aksidentit kishin humbur jetën dy shtetas dhe 15 të tjerë po merrnin ndihmë mjekësore. Pas saktësimit të informacionit rezulton se:
Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën një shtetas, konkretisht drejtuesi i autobusit, shtetasi R. H., 36 vjeç, banues në Kombinat, Tiranë.
Gjithashtu, janë dëmtuar 12 pasagjerë në autobus, dhe jo 15 siç ishte raportuar më parë.
Prej të lënduarve, 7 janë në gjendje të rëndë, ndërsa 5 të tjerë kanë pësuar dëmtime të lehta dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Të gjithë ata po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.
Konfuzioni në raportimin fillestar erdhi si pasojë e situatës së rëndë në vendngjarje dhe transportit të të dëmtuarve në spitalet si ato shtetërore ashtu edhe ato private. Një fëmijë, i cili arriti në spitalin privat pa shenja jete dhe fillimisht u raportua si viktimë, u rikthye në jetë nga ekipi mjekësor përmes procedurave të reanimimit. Më pas, fëmija u transferua në Spitalin Ushtarak dhe aktualisht ndodhet nën kujdes intensiv mjekësor.
Ndërkohë, grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vazhdon veprimet në vendngjarje për të përcaktuar shkakun e aksidentit dhe për të dokumentuar plotësisht rastin nga ana ligjore.

