Projekti i diskutueshëm për ndërtimin e një resorti nga Jared Kushner në jug të Shqipërisë ka marrë një ndikim të ri në fushatën elektorale në Shtetet e Bashkuara. Senatori demokrat nga Georgia, Jon Ossoff, i cili është në kërkim të rizgjedhjes në Senat, e ka përdorur Shqipërinë dhe marrëveshjen mes qeverisë të Edi Ramës dhe kompanisë së Kushner si një shembull të rëndësishëm për të sulmuar familjen Trump.
Gjatë një ngjarjeje në Savannah, Georgia, Ossoff theksoi se “është një ishull i vogël dhe i bukur pranë bregdetit shqiptar që quhet Sazan” dhe akuzoi Kushner se, pas sigurimit të financimeve saudite, vendosi të ndërtonte një resort luksoz atje.
Sipas fjalëve të senatorit, “vetëm pak javë pasi Trump fitoi mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë, kryeministri i Shqipërisë i dha kompanisë së Jared Kushner statusin e investitorit strategjik”, duke theksuar se ky veprim përshpejtoi procedurat dhe lejet për projektin e tij.
Ossoff e konsideroi Sazanin si “një thesar kombëtar shqiptar”, duke theksuar se ujërat përreth ishin të mbrojtura deri në momentin kur, siç e përshkroi ai, ligji u ndryshua për të lejuar ndërtimin e resortit të Kushner.
Ossoff gjithashtu përmendi hetimet nga SPAK, duke iu referuar ngrirjes së një llogarie bankare të lidhur me dy investitorë të projektit, dhe ngriti pyetjen: “A do t’i merrte Jared Kushner këto privilegje për të blerë një ishull nëse nuk do të ishte dhëndri i presidentit?”
Më pas, ai e lidh këtë rast me akuzat e tij më të gjerë ndaj familjes Trump, duke përmendur investimet në Lindjen e Mesme, biznesin e kriptomonedhave dhe projekte të tjera ndërkombëtare, për të argumentuar se familja Trump, sipas tij, po përfiton në mënyrë të paligjshme nga lidhjet politike.
Në përfundim të fjalimit, Ossoff paralajmëroi se të gjithë ata që janë të përfshirë në këto çështje mund të përballen me hetime nga Kongresi amerikan, duke thënë: “Nëse jeni të përfshirë në ndonjë nga këto, vitin tjetër do të ngrini dorën e djathtë dhe do të betoheni se do të thoni të vërtetën përpara Kongresit të Shteteve të Bashkuara.”
Fakti që projekti për Zvërnecin dhe emri i Jared Kushner po shërbejnë si një armë politike ndaj familjes Trump në Shtetet e Bashkuara, është një shenjë e keqe për qeverinë e Ramës, e cila ka tentuar ta kalojë situatën në heshtje.
Shkëndija e parë që ndezi këtë reagim të papritur në Shqipëri ishte tërheqja zvarrë e një banori të Zvërnecit me pretendime pronësie mbi tokën ku parashikohej ndërtimi i projektit. Pas kësaj ngjarjeje, revolta u rrit ndjeshëm dhe u shndërrua në atë që gazetarët e huaj e quajtën “Revolucioni i Flamingove”.
Kur mediat amerikane kërkuan një reagim nga Jared Kushner për ndërtimin e resortit në Zvërnec, ai refuzoi të komentojë, duke theksuar se kompanitë e tij nuk janë të përfshira në këtë projekt.
Akuzat se familja Trump po përdor influencën e Shtëpisë së Bardhë për të mbrojtur interesa të saj private, kanë gjetur një vend të rëndësishëm në debatin politik amerikan.
Hamendësime të ngjashme u ngritën gjatë një seance dëgjimore në Senatin Amerikan për emërimin e ambasadorit të ri të SHBA-së në Tiranë, Eric Wend.
Një senator shprehu shqetësimin se persona të afërt me Presidentin Donald Trump dhe aleatë të tij mund të kenë përfituar nga lidhjet me qeverinë për të realizuar marrëveshje biznesi në Shqipëri, siç është rasti i Zvërnecit dhe Sazanit.
Senatori kërkoi garanci se Ambasada Amerikane në Tiranë do të vazhdojë të mbështesë luftën kundër korrupsionit dhe jo interesa private, ndërsa ambasadori i ardhshëm, Eric Wend, tha se nuk kishte dijeni për investimet private të familjes së presidentit në Shqipëri, por theksoi se si ambasador do të mbështesë të gjitha bizneset amerikane në mënyrë të barabartë dhe se vlerëson punën e SPAK në luftën kundër korrupsionit.
Nga Lapsi.al

