Shiroka, një prej destinacioneve më të vizituara turistike në Shkodër, po përballet me probleme të dukshme infrastrukturore pikërisht në kulmin e sezonit veror.
Segmenti rrugor në qendër të zonës paraqitet i dëmtuar, me gropa të krijuara, të cilat sipas banorëve janë shkaktuar nga rrjedhjet e ujit dhe mungesa e ndërhyrjeve për mirëmbajtje. Gjendja e rrugës po vështirëson lëvizjen e automjeteve dhe këmbësorëve, ndërsa rrit edhe rrezikun për incidente.
Banorët dhe bizneset e zonës kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga Bashkia e Shkodrës, duke theksuar se një nga pikat më të rëndësishme turistike të qytetit meriton një infrastrukturë të denjë, sidomos gjatë muajve të verës kur numri i vizitorëve rritet ndjeshëm.
Përveç shqetësimeve për qarkullimin, gjendja e amortizuar e rrugës krijon edhe një imazh jo të mirë për turistët vendas dhe të huaj, duke lënë në hije potencialin turistik të një prej perlave të bregut të Liqenit të Shkodrës.

