Një person 31-vjeçar nga Lezha u arrestua nga Policia e Shtetit gjatë operacionit të koduar “Black 2”, pasi u kap me një armë zjarri pa leje në qarkullim.
Sipas komunikatës zyrtare, forcat e posaçme “Shqiponja” në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë, vepruan sipas informacioneve operative që tregonin se një individ po lëvizte i armatosur.
Personi i arrestuar, i identifikuar me inicialet T. M., banues në Lezhë, u gjet dhe u ndalua në flagrancë te rrethrrotullimi i Rinasit.
Gjatë kontrollit të automjetit të tij, policia zbuloi një armë zjarri pistoletë në një çantë dore, së bashku me një krehër me municion.
Arma dhe municioni u sekuestruan si prova materiale.
Materialet përkatëse janë dërguar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ndërsa ndaj 31-vjeçarit rëndon akuzë për “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve luftarake dhe e municionit”.

