Teksa sot do të mbahet protesta 28, aktivistja e shoqërisë civile Edlira Çepani pohoi se tashmë ka nisur një lëvizje qytetare, ku kërkohet dorëheqja e Ramës dhe një qeveri teknike. Ajo tha për emisionin ‘News24 Fundjavë’ se ka rëndësi fakti që po thyhen barrierat.
Mes të tjerash Çepani tha se nuk është zgjidhje bullizmi politik, duke iu adresuar dhe reagimeve të kryeministrit Edi Rama për protestën.
“Askush nuk delegon asgjë, pasi nuk ka lidershipin. Kur një sistem funksion më mënyrë horizontale, dhe secili merr përsipër që të japë atje ku mundet, kjo është arritje e madhe. Kjo sjell bashkim, pasi secili sjell atë pjesë ku është i aftë. Është formë organizmi, ku bukuria e të cilës vjen me këmbëngulje nga vetë protestuesit. Organizmi nga poshtë, është ndër më të fuqishmit. Ka nisur të lëvizë dhe ndodh kjo lëvizje, siç është grupimi që përfaqëson protestën. Protesta është politike. Aktivizimi dhe protesta është politik. Nuk jam nga ata njerëzit që nga ky grupim të dalë një grupim politik. Të gjithë duhet ta kenë lirinë që të krijojnë një grupim të tillë. Protestat kanë detyrat e veta për të reaguar mbi situatat. Nëse arrihet që ato që kërkon protesta, të ndodhin, ideja është se në një sistem me një kod të barabartë zgjedhor, aty i jepet mundësia që cilido që të krijojë një forcë të re, apo të garojë si qytetar i pavarur, kjo është gara e vërtetë.
Duhet që përfaqësimi të jetë i mirëfilltë përmes garës së barabartë. Nuk është problemi se kush do të marrë lidershipin, por që sistemi të largojë barrierat. Qytetarët të jenë pjesë e zgjidhjes. Ne kemi profesionistë të mirë në Shqipëri. Ata fatkeqësisht nuk janë dëgjuar. Qeveria teknike që kërkohet, bën dhe propozimet për ndryshimin e kodit zgjedhor. Pastaj ky kod zgjedhor i jep mundësi partive të reja, apo të vjetra. Aty garantohet dhe përfaqësimi i duhur. Bullizmi politik nuk është zgjidhje për problematikat. Nuk zgjidhen gjërat duke u tallur apo kërcënuar. Institucionet paguhen me taksat e qytetarëve. Mendoj se ka vend për t’u përmirësuar në pjesën e kthimit të përgjigjeve për këto protesta. Hajde ti diskutojmë këto kërkesa që vinë nga protesta, çështje që duhet të trajtohen në Kuvend.”, tha ajo.

