Kryeqyteti kinez, Pekini, është tronditur nga një incident i pazakontë kur një aeroplan sportiv i vogël ka rënë në “CITIC Tower” (China Zun), ndërtesën më të lartë në qytet, duke shkaktuar kaos dhe nevojën për ndërhyrje të shpejtë nga autoritetet e emergjencës.
Pamjet dramatike që janë shpërndarë në rrjetet sociale tregojnë mbetjet e avionit që bien nga kjo ndërtese 109-katëshe. Copëzat e metali që kanë rënë poshtë kanë shkaktuar dëme në disa automjete të parkuara në atë zonë.
Për momentin, autoritetet kineze nuk kanë bërë të ditur një bilanc zyrtar për viktimat apo të lënduarit dhe shkaqet e këtij incidenti mbeten ende të paqarta. Ndërkohë, e gjithë ndërtesa është evakuar dhe qytetarët janë grumbulluar në rrugët përreth, të cilat janë rrethuar nga forca të shumta policie, zjarrfikëse dhe autoambulanca.
Sipas informacioneve preliminare, aeroplani i përfshirë është një model i lehtë, Sunward SA 60L Aurora, dhe dyshohet se i takon një kompanie lokale të aviacionit të përgjithshëm. Burime të pazyrtare sugjerojnë se avioni mund të ketë devijuar papritur nga senda e tij e planifikuar e fluturimit.
Ky incident ka tërhequr vëmendje të madhe dhe ka ngritur shqetësime në lidhje me sigurinë, sidomos duke pasur parasysh që Pekini njihet si një nga qytetet me hapësirën ajrore më të monitoruar dhe më të rreptë në botë, veçanërisht mbi zonat qendrore ku ndodhen objekte strategjike.

