Një nga destinacionet më të bukura natyrore të Tiranës, Gryka e Skoranës (Kanioni i Erzenit), është dëmtuar rëndë dhe, sipas banorëve dhe vizitorëve të zonës, është varrosur përfundimisht nga aktiviteti i firmave ndërtuese.
Tirana dikur kishte dy destinacione të njohura për plazh dhe argëtim në natyrë. Njëri ishte Kanioni i Brarit, i cili u zhduk disa vite më parë, kur inertet e punimeve të Rrugës së Arbrit u hodhën brenda kanionit. Këtë vit, të njëjtin fat duket se ka pësuar edhe Kanioni i Erzenit, duke u fshirë praktikisht nga harta turistike e kryeqytetit.
Këto dy destinacione, ndër më të bukurat që ka pasur Tirana, kanë qenë për vite me radhë vende të frekuentuara nga mijëra qytetarë dhe turistë, të cilët vinin për të shijuar natyrën dhe për t’u larë në ujërat e kristalta të lumit Erzen. Sot, ato rrezikojnë të mbeten vetëm kujtime të një pasurie natyrore që po humbet dita-ditës.
Nga Fatjon Plaku

