Partia Socialdemokrate në Malësinë e Madhe ka bërë të ditur pozitat e saj lidhur me përpjekjet për të ndryshuar emrin e shkollës 9-vjeçare “At Pal Doda” në Bratosh, duke u shprehur njëzëri kundër kësaj nisme.
Në deklaratën e saj zyrtare, kjo parti thekson se, megjithatë, respektohet figura e intelektualit Gjek Marinaj, por grupe të këshilltarëve të PSD-së në Bashkinë Malësi e Madhe janë të vendosur në kundërshtimin e ndryshimit të emrit të këtij institucioni arsimor.
Siç theksohet në deklaratë, shkolla mban emrin e fratit françeskan Pal Dodaj, i cili, sipas të dhënave, është spiunuar nga shërbimet serbo-sllave dhe është dënuar me vdekje si “prift reaksionar” nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.
PSD nënvizon se jeta dhe veprat e At Pal Dodës janë pjesë e një trashëgimie të rëndësishme historike dhe shpirtërore, që meritojnë të ruhen dhe nderohen.
Në këtë kontekst, kjo parti i bën thirrje edhe këshilltarëve të tjerë të Bashkisë Malësi e Madhe që të votojnë kundër kësaj nisme në mbledhjen e nesërme, duke theksuar se duhet të nderohet figura e martirit At Pal Doda.
Ja deklarata e plotë e PSD-së Malësi e Madhe:
“Partia Socialdemokrate Malësi e Madhe, lidhur me nismën për ndryshimin e emrit të shkollës 9-vjeçare ‘At Pal Doda’ në Bratosh, deklaron se: respektojmë figurën e intelektualit Gjek Marinaj, por qëndrimi ynë si forcë politike dhe si grup i këshilltarëve është kundër kësaj nisme, duke u bazuar në respektin për jetën dhe veprën e fratit françeskan Pal Dodaj, i cili është spiunuar nga shërbimet serbo-sllave dhe është dënuar me vdekje si ‘prift reaksionar’ nga pushteti komunist i Enver Hoxhës. Ftojmë gjithashtu edhe të gjithë këshilltarët e Bashkisë Malësi e Madhe që nesër të votojnë kundër kësaj nisme, për të nderuar jetën dhe veprën e martirit At Pal Doda.
Kryetari i PSD Malësi e Madhe: Ardian Hysa.”

