Deputetja socialiste, Edona Bilali, ka reaguar lidhur me protestën që po zhvillohet prej javësh, duke bërë thirrje për dialog dhe duke ngritur pikëpyetje mbi qëllimet e disa prej organizatorëve.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, Bilali shprehet se tashmë ka ardhur momenti që energjia e protestës të kanalizohet drejt dialogut dhe zgjidhjeve konkrete, duke theksuar se “dora është e shtrirë që ditën e parë”.
Postimi i plotë:
Sa nuk kanë dalë “organizatorë/protestues të tjerë të spikatur” që zerojnë përpjekjet e protestuesve për tu dëgjuar ka ardhur natyrshëm momenti që energjia e kësaj proteste të kanalizohet drejt dialogut dhe zgjidhjeve konkrete. Dora asht e shtrime që ditën e parë. Refuzimi i vazhdueshëm i dialogut ngre pikëpyetje mbi qëllimin e vërtetë të disa prej organizatorëve të cilët duket sikur po e bëjnë për të rritur pikët personale në negocim më shumë sesa për një interes të përbashkët.
Qytetarët që kanë dalë në protestë meritojnë më shumë sesa retorikë nga kush flet nga tre këmbë shkallë më lart, në emër të tyre. Të ulesh në tryezë nuk do të thotë të heqësh dorë nga kërkesat; përkundrazi, do të thotë t’u japësh atyre mundësinë të shndërrohen në zgjidhje. Dialogu është hapi i parë drejt tyre.


