Varg kamionësh në Portin e Durrësit, kosto shtesë për operatorët dhe rrezik për dëmtim mallrash

Publikuar me datë:

Që prej fillimit të javës së kaluar, Porti i Durrësit ka përjetuar një fluks të madh kamionësh, të cilët formojnë radhë të gjata në pritje për të hyrë ose dalë nga terminali i kontejnerëve.

Operatorët e transportit të mallrave me kamion kanë theksuar se vonesat janë shkaktuar nga mungesa e mjeteve të specializuara për përpunimin e kontejnerëve, sidomos pajisjeve të njohura si “reachstacker”, që përdoren për shkarkimin e kontejnerëve të importit dhe ngarkimin e atyre të eksportit.

Kjo situatë pritet të ketë pasoja financiare dhe kosto shtesë për operatorët e transportit të mallrave, shumë prej të cilëve mbajnë produkte në ambiente frigoriferike.

Nga ana tjetër, Autoriteti Portual i Durrësit (APD) ka bërë të ditur se situata është e lidhur kryesisht me kufizimet e qarkullimit të mjeteve të tonazhit të rëndë gjatë fundjavave, të cilat janë vendosur në përputhje me masat për sezonin turistik.

Sipas Policisë së Shtetit, në zbatim të udhëzimit të përbashkët të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, nga 19 qershori deri më 15 shtator, janë të vendosura kufizime për qarkullimin e mjeteve të transportit të mallrave me masë mbi 7.5 tonë.

Këto kufizime janë në fuqi të premten nga ora 15:00 deri në 24:00, si dhe gjatë gjithë ditës të shtunës dhe të dielës, me qëllim lehtësimin e trafikut dhe rritjen e sigurisë rrugore në akset turistike.

Po ashtu, sipas APD, terminali ka në dispozicion mjetet e nevojshme për përpunimin e kontejnerëve dhe aktualisht po punohet me kapacitet të plotë. Sipas këtij institucioni, për këtë qëllim janë të gatshme 8 reachstacker.

Të dhënat për radhët e gjata të kamionëve rikthejnë në vëmendje problemet historike që ka hasur terminali i kontejnerëve në Portin e Durrësit.

Pas anullimit njëanshëm në vitin 2018 të kontratës koncesionare me kompaninë turke “Container Terminal Durrës”, çështje e cila u zgjidh në Arbitrazh në favor të shtetit, duke shmangur një dëm prej 100 milion eurosh, operimi i terminalit ka kaluar nëpër disa faza administrimi.

Pas përfundimit të kësaj marrëveshjeje, shërbimi iu besua për 5 vite kompanisë malteze “Hili Company Limited”, që në Shqipëri përfaqësohet nga “Mariner Adriatic”.

Zbatimi i kontratës me vlerë rreth 35 milion euro ka sjellë shpesh shqetësime për operatorët e linjave detare, të cilët janë ankuar për mosfunksionimin e infrastrukturës dhe kostot shtesë që kanë lindur nga këto pengesa.

Në vitin 2023, terminali përballi një situatë të ngjashme, kur për gati një muaj, nga fundi i majit deri në fund të qershorit, anijet e transportit të kontejnerëve prisnin me ditë të tëra për të shkarkuar mallrat.

Gjatë asaj periudhe, operatorët e linjave detare shprehën shqetësime për mungesën e pajisjeve dhe për mosfunksionimin e mjeteve për ngarkim-shkarkim.

Njëzëri, ata theksuan se shkaku kryesor i kësaj situate ka qenë mungesa e mjeteve pasi ky shërbim u dha kompanisë malteze “Mariner Adriatic”.

Pesë kompani të transportit detar, përkatësisht CMA CGM Albania, Mediterranean Shipping Company Albania, Stacon Shipping Al, Hub Adriatic dhe Stella Mare, i dërguan më 25 maj 2023 një letër Kryeministrit Edi Rama, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Autoritetit Portual të Durrësit, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për zgjidhjen e situatës.

Që prej vitit 2024, shërbimi i përpunimit të kontejnerëve në Portin e Durrësit është administruar drejtpërdrejt nga Autoriteti Portual i Durrësit.

Nga Monitor

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related

Ja pse Rama do të mbledhë nesër në mëngjes drejtuesit politikë të qarqeve

Nesër në orën 08:30, Kryeministri Edi Rama do të...

E rëndë në Durrës, mbytet në det 50-vjeçari

Një tragjedi është ndodhur së fundmi në plazhin e...

Nis marshimi nëpër Tiranë, drejt kryqëzimit të Elbasanit

Ka filluar marshimi pas protestës së 24-të të qytetarëve...