Deklaratat e fundit të kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, si kundërpërgjigje ndaj Ramës, ku flet për meritokracinë, demokracinë dhe vetëpastrimin në Partinë Socialiste kanë sjellë reagimin e një prej ish-figurave të PS-së në Shkodër.
Ish-kryetarja e Partisë Socialiste Shkodër, Mirela Dodaj, i është përgjigjur publikisht Spiropalit, duke e akuzuar se ka qenë për vite me radhë pjesë e vendimmarrjes dhe një nga figurat më të privilegjuara të mazhorancës.
Sipas Dodajt, thirrjet për vetëpastrim humbasin besueshmërinë kur vijnë nga persona që kanë mbështetur dhe qenë pjesë e çdo reforme, vendimmarrjeje dhe procesi politik të qeverisë së Edi Ramës.
“Është e vështirë të kuptohet kujt i drejtohet thirrja për vetëpastrim. Të tjerëve apo vetes?”, shkruan ajo, ndërsa kujton se Spiropali ka qenë ndër mbështetëset më të forta të qeverisë edhe në momentet më të debatueshme.
Dodaj shkon më tej, duke deklaruar se nëse Partia Socialiste do të nisë një proces të vërtetë reflektimi dhe vetëpastrimi, ai duhet të fillojë pikërisht nga ata që kanë mbajtur përgjegjësi politike ndër vite.
“Para se të kërkosh llogari nga të tjerët, duhet të japësh llogari për veten”, përfundon reagimin e saj ish-kryetarja e PS-së në Shkodër, në një mesazh që shihet si një kritikë e drejtpërdrejtë ndaj Spiropalit.

