Tragjedia në Tale, Malevija ngre alarmin: Bashkia nuk iu përgjigj pyetjeve për sigurinë në plazhe

Publikuar me datë:

Ngjarja tragjike e ndodhur sot në plazhin e Tales ka rikthyer në vëmendje çështjen e sigurisë së pushuesve gjatë sezonit turistik.

Ekonomisti, Shkëlqim Malevija ka reaguar përmes një statusi publik, ku bën të ditur se që më 12 maj 2026 i ka dërguar Bashkisë Shkodër dhe Këshillit të Qarkut një kërkesë për informacion lidhur me projekt-vendimin për çmimet e çadrave dhe shezlongëve në zonën Velipojë–Rrjoll.

Sipas tij, krahas çështjes së tarifave, ai kishte kërkuar informacion edhe për masat e sigurisë në plazhe, duke ngritur pyetje për numrin e rojeve bregdetare, shpërndarjen e tyre, ndryshimet nga vitet e kaluara dhe fushatat informuese për parandalimin e mbytjeve dhe reagimin në raste emergjente.

Malevija thekson se, pasi nuk mori përgjigje, më 29 maj dërgoi edhe një kujtesë zyrtare, por edhe pas kësaj, sipas tij, institucionet nuk kanë kthyer asnjë përgjigje.

“Siguria e jetës së pushuesve duhet të jetë pjesë e çdo politike dhe vendimmarrjeje për sezonin turistik”, shkruan ai, ndërsa shpreh shpresën që tragjedi si ajo e sotmja të shërbejnë për të rritur vëmendjen ndaj sigurisë në plazhe dhe për t’i bërë institucionet më të përgjegjshme ndaj shqetësimeve të qytetarëve.

Postimi i plotë:

Tragjike ngjarja e sotme në Tale.

Në kuadër të kërkesës për informacion që i kam dërguar Bashkisë Shkodër dhe Këshillit të Qarkut më 12 maj 2026, lidhur me projekt-vendimin për çmimet e çadrave dhe shezlongëve në Velipojë–Rrjoll, kam ngritur edhe disa pyetje që lidhen drejtpërdrejt me sigurinë e pushuesve:

• Cilat masa konkrete po merren për parandalimin e mbytjeve në plazh?

• Sa roje bregdetare do të jenë të pranishëm dhe si do të shpërndahen?

• A ka ndryshime nga vitet e kaluara?

• A do të ketë fushata informuese për sigurinë në det dhe reagimin në raste emergjente?

Pasi nuk mora përgjigje, me datë 29 maj 2026 kam dërguar edhe një kujtesë zyrtare. Edhe sot, ende nuk ka asnjë përgjigje.

Nuk mjafton të diskutojmë vetëm për çmimin e çadrave dhe shezlongëve. Siguria e jetës së pushuesve duhet të jetë pjesë e çdo politike dhe vendimmarrjeje për sezonin turistik.

Shpresoj që tragjedi si ajo e sotmja të shërbejnë të paktën për të rritur vëmendjen ndaj sigurisë në plazhe dhe për t’i bërë institucionet më të përgjegjshme ndaj pyetjeve dhe shqetësimeve të qytetarëve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related