Qytetarët e Lagjes 13, e cila ndodhet në zonën e Plazhit në Durrës, kanë ngritur shqetësimin për mungesën e furnizimit me ujë të pijshëm, e cila po vazhdon për ditën e tretë. Ata e vlerësojnë këtë situatë si të papranueshme dhe alarmante.
Prej tre ditësh, asnjë pikë ujë nuk është arritur në këtë lagje, duke shkaktuar tharjen e depozitave dhe dëmtime të përsëritura të pompave të ujit. Banorët raportojnë se situata po bëhet gjithnjë e më e vështirë.
Një qytetar i prekur tha: “Jemi në ditën e tretë pa ujë. Depozitat janë tharë dhe pompat po na digjen vazhdimisht për shkak të mungesës së ujit. Nga UKD nuk kemi marrë asnjë zgjidhje dhe asnjë sqarim. Kjo neglizhencë ka kaluar çdo kufi të durimit.”
Banorët apeluan për veprime urgjente nga institucionet përkatëse, kërkesë e cila përfshin rikthimin e furnizimit normal me ujë dhe ofrimin e transparencës lidhur me shkaqet e kësaj situate të rënduar.

