Deputetja e PS-së, Marjana Koçeku, e njohur ndryshe si “Neomalsorja”, ka reaguar sërish lidhur me situatën në Theth, duke kërkuar falje publike ndaj banorëve dhe duke e cilësuar ngjarjen si një nga goditjet më të mëdha emocionale të jetës së saj.
Përmes një deklarate emocionale, Koçeku shprehet se ajo që ndodhi në Theth e ka prekur thellësisht, duke treguar se ka përjetuar ditë të vështira dhe me ngarkesë të madhe emocionale.
“I kërkoj falje prej zemre Thethit. Ajo ngjarje ka qenë ndër goditjet më të mëdha emocionale që kam marrë në jetën time. Unë nuk qaj, por ato ditë kam qarë më shumë se kur më ka vdekur babai”, deklaron ajo.
Deputetja premton se në vijim do të përfaqësojë më denjësisht banorët e zonës dhe interesat e tyre, ndërsa thekson se nuk do të lejojë më që malet dhe komuniteti i Thethit të fyhen apo të trajtohen në mënyrë të padrejtë.
“Betohem në 7 shenjtorët që besoj më shumë se tash kam me ju përfaqësue si duhet. S’ka me i fye kush ma ato male siç i kanë fye”, shprehet Koçeku.

