SPAK e hetoi për abuzime me tenderat, Jonaid Myzyri zëvendëson Arlinda Pogajn në krye të OBP-së

Publikuar me datë:

Jonaid Myzyri është emëruar në krye të Operatorit të Blerjeve të Përqendruara, duke zëvendësuar Arlinda Pogajn, e cila paraqiti dorëheqjen nga detyra.

Kujtojmë që Myzyri ka mbajtur më parë postin e kryetarit të Komisionit të Prokurimit Publik.

Jonaid Myzyri, i emëruar së fundmi në krye të Operatorit të Blerjeve të Përqendruara (OBP), ka qenë për disa vite në fokus të hetimeve të SPAK për mënyrën e trajtimit të procedurave të prokurimit publik gjatë kohës kur drejtonte Komisionin e Prokurimit Publik (KPP).

Hetimet nisën pas dyshimeve për shkelje në disa procedura tenderuese të zhvilluara gjatë viteve 2020-2023, ku sipas SPAK janë evidentuar raste me konkurrencë të kufizuar dhe skualifikime të diskutueshme të operatorëve ekonomikë.

Në dhjetor të vitit 2023, SPAK ndërmori një aksion në zyrat e Komisionit të Prokurimit Publik, ku u sekuestruan mbi 20 dosje tenderash me vlera të konsiderueshme financiare.

Hetuesit dyshonin se në disa procedura nuk ishte respektuar parimi i garës dhe i trajtimit të barabartë të operatorëve ekonomikë, duke krijuar avantazhe për subjekte të caktuara.

Gjatë vitit 2025, Myzyri u thirr disa herë në ambientet e SPAK për të dhënë shpjegime lidhur me hetimet. Prokuroria po verifikonte vendimmarrjet e KPP-së në shqyrtimin e ankesave për tendera, ndërsa dyshimet kryesore lidhen me ndikimin e mundshëm në proceset e shqyrtimit dhe me favorizimin e operatorëve të caktuar ekonomikë.

Një nga çështjet kryesore të hetuara lidhet me një procedurë prokurimi të vitit 2020 të zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar për mirëmbajtjen e segmentit rrugor Rrëshen–Shpal–Qafë Benë–Hadroj dhe Shpal–Ura e Repsit, me fond limit rreth 219.8 milionë lekë.

Sipas SPAK, vendimmarrjet e marra gjatë shqyrtimit të ankesave për këtë tender ngritën dyshime për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në procedurat publike.

Në qershor të vitit 2025, SPAK njoftoi se Myzyri ishte marrë i pandehur për veprën penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

Sipas burimeve të raportuara nga mediat, hetimi kishte zgjatur rreth pesë vite dhe ishte përqendruar në dyshimet se kreu i KPP-së kishte ndikuar në vendimmarrjen e anëtarëve të tjerë të komisionit gjatë shqyrtimit të ankesave për tendera.

Megjithatë, zhvillimet më të fundit tregojnë se SPAK ka kërkuar pushimin e një prej çështjeve penale ndaj Myzyrit që lidhej me tenderin e mirëmbajtjes rrugore me vlerë rreth 2.2 milionë euro. Kjo kërkesë është depozituar në gjykatë, ndërsa vendimmarrja përfundimtare i takon organeve gjyqësore.

Pavarësisht hetimeve dhe debatit publik që ka shoqëruar emrin e tij, Myzyri është zgjedhur për të drejtuar Operatorin e Blerjeve të Përqendruara, një institucion kyç në sistemin e prokurimeve shtetërore.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related