Biznesmeni shkodran, Alban Thika ka publikuar një reagim të ashpër ndaj Ergys Kavajës, aktualisht drejtor i Zyrës së Medias pranë Bashkisë Shkodër, duke ngritur dyshime për konflikt interesi dhe mungesë të pavarësisë mediatike.
Në një status të gjatë në rrjetet sociale, Thika akuzon Kavajën se ka braktisur pavarësinë editoriale për t’u rreshtuar pranë pushtetit lokal, ndërsa vë në pikëpyetje faktin që ai ushtron një funksion publik në Bashkinë Shkodër dhe njëkohësisht lidhet me portalin lokal EeTimes.al.
Sipas Thikës, një situatë e tillë krijon perceptim të konfliktit të interesit dhe cenon besimin e publikut tek media e pavarur. Ai kërkon gjithashtu verifikime nga institucionet kompetente për portalet lokale që, sipas tij, mund të ushtrojnë aktivitet pa përmbushur të gjitha detyrimet ligjore dhe administrative.
Në reagimin e tij, biznesmeni nuk kursen as kritikat ndaj administratës së kryebashkiakut Benet Beci, duke e lidhur rastin me atë që ai e cilëson si afërsi mes pushtetit politik dhe medias lokale.
Thika shprehet se Shkodra ka nevojë për media që monitorojnë pushtetin dhe jo për media që perceptohen si zgjatim i tij, ndërsa kritikon edhe mungesën e reagimit nga opozita dhe shoqëria civile për këtë çështje.
Postimi i plotë:
Në Shkodër, fatkeqësisht, ka individë që lundrojnë mbi mirësinë, besimin dhe qytetarinë e bashkëqytetarëve të tyre, duke përdorur “sedrën” si armën kryesore për të ushqyer egon personale dhe për t’i shërbyer autoritetit politik që i mban pranë pushtetit (Benet BECI). Siç thotë edhe shprehja popullore, “dragoi rrit këlyshët e vet”: një sistem që shpërblen servilizmin dhe jo integritetin, prodhon pikërisht njerëz që i shërbejnë sistemit dhe jo qytetarëve.
Mbetet e pakuptueshme se si një qytet me historinë, kulturën dhe identitetin e Shkodrës mund të tolerojë individë që, në emër të karrierës dhe përfitimit personal, shkelin etikën profesionale dhe ndërgjegjen qytetare për t’i bërë qejfin pushtetit të radhës.
Subjekti i këtij reagimi është Ergys Kavaja, gazetar me mbi dy dekada eksperiencë në mediat lokale, i cili, sipas bindjes sime, ka zëvendësuar pavarësinë editoriale me konformizmin politik. Sot, duke ushtruar funksionin e Drejtorit të Zyrës së Medias pranë Bashkisë Shkodër (per Benetin) dhe njëkohësisht duke operuar portalin EeTimes.al, lindin pyetje serioze mbi konfliktin e interesit, pavarësinë profesionale dhe përdorimin e ndikimit institucional për interesa private dhe politike.
Nëse, siç pretendohet, një portal mediatik ushtrohet pa përmbushur të gjitha detyrimet ligjore dhe administrative që kërkohen për zhvillimin e një aktiviteti ekonomik dhe mediatik, atëherë kjo meriton verifikim nga autoritetet kompetente. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, pavarësisht afërsisë me pushtetin apo rolit publik që ushtron.
Akoma më shqetësues është fakti që një person i ngarkuar me komunikimin zyrtar të Bashkisë drejton ose operon një platformë mediatike që raporton mbi të njëjtin institucion dhe aktorët politikë me të cilët bashkëpunon. Edhe nëse çdo veprim do të ishte formalish i ligjshëm, perceptimi i konfliktit të interesit dhe mungesa e distancës editoriale cenojnë besimin e publikut dhe standardet e gazetarisë së pavarur.
Ironia është se një platformë që deklaron se është krijuar për të “dëshmuar të vërtetën”, për të qenë “hapësirë e pastër mediatike” dhe për të “ruajtur integritetin”, duhet të japë vetë shembullin më të lartë të transparencës, paanshmërisë dhe llogaridhënies.
Më habit edhe heshtja e opozitës dhe mungesa e reagimit qytetar përballë praktikave që, sipas meje, ofendojnë inteligjencën e shkodranëve, deformojnë misionin e gazetarisë dhe krijojnë një marrëdhënie të papërshtatshme mes pushtetit politik dhe medias. Shkodra meriton media që mbikëqyrin pushtetin, jo media që perceptohen si zgjatim i tij.
Një tjetër shqetësim që nuk duhet anashkaluar është se, sipas informacioneve dhe indicieve të disponueshme, ekziston një numër portalesh lokale që ushtrojnë aktivitet pa qenë të regjistruara si subjekt biznesi dhe/ose pa përmbushur detyrimet përkatëse ligjore dhe administrative.
Sipas legjislacionit shqiptar, ushtrimi i një veprimtarie ekonomike në mënyrë të organizuar kërkon regjistrimin e subjektit në përputhje me Ligjin nr. 9723, datë 03.05.2007 “Për Qendrën Kombëtare të Biznesit” (i ndryshuar) dhe me legjislacionin tatimor në fuqi. Nëse një portal mediatik operon si aktivitet ekonomik pa regjistrim si subjekt biznesi apo pa përmbushur detyrimet ligjore përkatëse, kjo ngre dyshime serioze mbi pajtueshmërinë me ligjin dhe meriton verifikim nga institucionet kompetente. Respektimi i ligjit duhet të jetë i barabartë për të gjithë dhe nuk mund të varet nga lidhjet politike apo pozicioni institucional i askujt.

