I ftuar në emisionin “Kafe Shqeto”, aktori dhe protestuesi Vladimir Doda ka folur për fenomenin e emigrimit të të rinjve shqiptarë të arsimuar dhe vështirësitë që ata hasin në përpjekjet për t’u rikthyer dhe punuar në Shqipëri.
Ai u ndal tek përvojat e tij në Itali, duke përmendur një takim të vitit 2017 në Romë me studentë shqiptarë të diasporës ku shprehet se shumë prej të rinjve, pavarësisht formimit të lartë akademik, janë përballur me mungesë mundësish dhe dyer të mbyllura në administratën shqiptare, çka i ka shtyrë të mos rikthehen më në vendlindje.
Doda ngriti gjithashtu shqetësime edhe për ndikimin e politikës në jetën publike dhe në institucionet kulturore, duke bërë me dije se profesionistët nuk ushtrojnë dot lirshëm aktivitetin e tyre.
Vladimir Doda
Po, diaspora e Italisë ka qenë gjithmonë aktive. Unë mbaj mend një takim nga këto takimet që vinin përpara zgjedhjeve, eksponentë asokohe gjithmonë në pushtet, dhe mbaj mend një tallje që iu pat bërë studentëve në Romë Taulant Balla. Kur erdhi me të gjitha ato premtimet e veta në 2017-ën, mos gaboj, dhe shumica e nesh ishim aty për të parë, me të vërtetë, a kishte fytyrë domethënë të vazhdonte ato refrenet e tija. Dhe mbaj mend që njerëz që i njihja, jo si simpatizantë, por gjithsesi si njerëz me ide të majta e të tjerë, i patën sugjeruar të ndërronin qasje, asokohe emrin e partisë, se nuk e bënin partia e hajdutëve, që t’i biem shkurt. Tani kjo më duket si barsoletë, por kush i mban mend nga studentët shqiptarë ku shumica ishin të diplomuar apo edhe në doktoratura e të tjera dhe që kishin tentuar të ktheheshin në Shqipëri e s’kishin gjetur mënyra, hapësira. Dhe normalisht i qëlloi… nuk e kishte parashikuar, domethënë, Taulanti.
Nuk është në nivelet e duhura hakmarrja, se po të ishte kështu, të përjashtuar nga Shqipëria ka sa të duash. Të paktën s’po them me dhjetëra, por nja 20 persona i njoh vetë unë, shokë të mi, me doktoratura, post-doktoratura, që kanë tentuar edhe dy herë madje të vijnë për ca vite, janë rikthyer në Itali apo kanë shkuar në Gjermani, në Kanada, në Amerikë. Kanë tentuar sërish dhe ose po tentojnë e duan të ikin prapë nga Shqipëria, ose kanë ikur. Sepse nuk kanë gjetur hapësira. Po nuk është puna se nuk kanë gjetur vetëm hapësira. Shpeshherë edhe kur kanë gjetur hapësirë për të punuar ose për të krijuar një lloj jete, ambienti atje është toksik, domethënë ka të bëjë me marrëdhënie dëngla-dëngla, me vendin e punës, me drejtorin, me x person. Po, me sistemin, por nuk janë mësuar me këto lloj dinamikash që në Evropë, sidomos kur je i huaj, nuk i ke të prekshme. Janë vende të mëdha që s’të pyet kush, nuk të thotë kush “hajde në takim se do vijë drejtuesi”, janë gjëra patetike. Po e dimë se nuk është gjë e re. Edhe pse jemi pjesë e administratës, kam qenë pjesë e teatrit. Nuk është e paimagjinueshme që një aktor të dalë ose të përkulet para disa dinamikave drejtuese që kanë drejtuesit politikë. Çfarë lidhje kemi ne me politikën? Pastaj këtu thuhet: jo, po një artist, një aktor nuk duhet të përfshihet në politikë. Çdo gjë është politike, sepse bëhet art, sepse presupozohet që të përmirësohet shoqëria, përndryshe mund të ishim bërë financierë. I falënderoj iniciuesit, Arildin, Sidorelën, Andi Tepelena më pati ftuar. Më tha: “Pse nuk vjen?” Më datë 4 isha në Itali dhe i thashë, sa të kthehem do të vij. Nga dita e 16-të kam qenë prezent. Aty me të vërtetë përpiqen, në një farë mënyre, mediat e mëdha ta denigrojnë atë lloj tubimi. Është vullnetare nga njerëzit, për herë të parë është diçka shumë spontane. Populli është ky, njerëzit janë këta dhe kanë halle të ndryshme. Për shembull, mua më prishi makina, janë gjëra konkrete, dhe prapëseprapë erdha në protestë.

