Policia greke ka ndërmarrë një operacion të suksesshëm, duke shkatërruar një organizatë kriminale që merrej me vjedhjen, falsifikimin dhe shitjen e automjeteve në disa zona të Athinës. Gjatë kësaj aksioni, janë arrestuar 13 individë, përfshirë 11 shqiptarë dhe 2 grekë.
Operativi u realizua në orët e para të mëngjesit nga Departamenti i Hetimit dhe Ndjekjes së Krimeve në Spata-Artemis, me asistencën e forcave të tjera të policisë, pas një hetimi të thelluar që zbuloi detaje rreth veprimtarisë së grupit kriminal.
Siç kanë njoftuar autoritetet greke, të arrestuarit, të moshës 22 deri në 38 vjeç, akuzohen për krijimin dhe pjesëmarrjen në një organizatë kriminale, vjedhje automjetesh në bashkëpunim, falsifikim dokumentesh, mashtrim dhe pastrim parash.
Hetimet tregojnë se grupi ishte aktiv që prej marsit të vitit 2023. Anëtarët e tij realizonin vjedhje automjetesh në zona të ndryshme të Athinës, duke manipuluar më pas të dhënat identifikuese të automjeteve. Kjo duke hequr numrat e shasisë origjinale dhe duke i zëvendësuar me numra të falsifikuar.
Kështu, automjetet e vjedhura “legalizoheshin” dhe shiteshin si mjete të rregullta në treg.
Për më tepër, policia ka zbuluar se anëtarët e organizatës bënin deklarata të rreme për vjedhjen e automjeteve, në përpjekje për të përfituar dëmshpërblime nga kompanitë e sigurimit, duke siguruar kështu fitime të paligjshme.
Në kuadër të hetimeve, janë sekuestruar gjithsej 36 automjete, nga të cilat 19 ishin të vjedhura dhe me dokumente të falsifikuara. Pas verifikimeve teknike, këto automjete u kthyen te pronarët e tyre të ligjshëm.
Gjatë kontrolleve në shtëpitë e të arrestuarve, policia ka sekuestruar gjithashtu 6 automjete, pajisje për kopjimin e çelësave të makinave, sisteme diagnostikuese ECU, mjete speciale për hapjen e bravave, pajisje gjeolokacioni, dhjetëra telefona celularë dhe kompjuterë, dy pistoleta imituese, një thikë palosëse, si dhe rreth 30 mijë euro në para cash.
Autoritetet greke deri tani kanë dokumentuar 33 raste të vjedhjes së automjeteve dhe 9 raste të deklaratave të rreme për vjedhje.
Sipas vlerësimeve të policisë, organizata kriminale ka përfituar rreth 1 milion euro nga aktiviteti i saj të paligjshëm.
Të arrestuarit janë dërguar para prokurorisë përkatëse, ndërsa hetimet vazhdojnë për të zbuluar plotësisht aktivitetin kriminal të grupit.

