Një autobus që i përket një agjencie turistike ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal anësor në zonën e Ishull-Shëngjinit, gjatë mesditës së kësaj të shtune. Fatmirësisht, nuk ka pasur të lënduar nga incidenti.
Sipas të dhënave fillestare, autobusi po kthehej nga Shëngjini, dhe drejtuesi kishte zgjedhur një rrugë alternative për të evituar trafik të dendur në daljen e zonës turistike. Ndërsa përshkonte një segment të ngushtë rrugor, një mjet tjetër ka dalë përballë tij.
Për të shmangur përplasjen, shoferi ka devijuar në skaj të rrugës, por kjo ka bërë që autobusi të rrëshqasë dhe të bjerë në kanal.
Brenda autobusit nuk ndodheshin turistë, por vetëm anëtarë të stafit të agjencisë, të cilët kanë dalë nga mjeti menjëherë dhe pa asnjë lëndim.
Si pasojë e aksidentit, janë shënuar vetëm dëme materiale, ndërsa policia rrugore ka nisur hetimet për të sqaruar të gjitha rrethanat e ngjarjes.

