Gjatë takimit të 121-të Plenar të Bordit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPB), i mbajtur në Bruksel, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi, ngriti në nivel evropian çështjen e vlerësimit të përparimit të vendeve kandidate në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale.
Në një sesion diskutimi me Komisionerin Evropian për Demokracinë, Drejtësinë, Sundimin e Ligjit dhe Mbrojtjen e Konsumatorit, z. Michael McGrath, Komisioneri Dervishi theksoi arritjet e Shqipërisë në përshtatjen e legjislacionit të saj me Acquis-in e Bashkimit Evropian në këtë fushë.
Me këtë rast, Dervishi nënvizoi se Shqipëria ka miratuar një ligj të ri për mbrojtjen e të dhënave që është plotësisht në përputhje me Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR) dhe Direktivën 2016/680 për autoritetet e zbatimit të ligjit. Ai gjithashtu theksoi se vendi ka krijuar një autoritet mbikëqyrës të pavarur, në përputhje me standardet evropiane, dhe kontribuon që nga viti 2016 në aktivitetet e Bordit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPB) si vëzhgues.
Megjithatë, Dervishi vuri në dukje se, edhe me këtë përparim dhe nivel të lartë harmonizimi me standartet evropiane, Shqipëria vazhdon të konsiderohet një vend i tretë për qëllimet e transferimit të të dhënave personale.
Në këtë kontekst, ai e theksoi nevojën për një vlerësim objektiv të përparimit të vendeve kandidate, në përputhje me nivelin e harmonizimit të legjislacionit dhe kapaciteteve institucionale me Acquis-in e Bashkimit Evropian, duke kërkuar ritme më të shpejta në këtë proces.
Kurse Komisioneri Evropian Michael McGrath, në përgjigjen e tij, e vlerësoi progresin e Shqipërisë në procesin e përshtatshmërisë me standardet e Bashkimit Evropian për mbrojtjen e të dhënave. Ai nënvizoi se marrëdhënia e Bashkimit Evropian me Shqipërinë në këtë fushë është pjesë e një procesi më të gjerë dhe ambicioz që lidhet ngushtë me procesin e anëtarësimit, duke përfshirë një nivel më të avancuar integrimi sesa një vendim specifik për përshtatshmërinë (adequacy). McGrath gjithashtu theksoi se transferimet e të dhënave personale mund të realizohen në përputhje me mekanizmat dhe instrumentet e parashikuara nga legjislacioni aktual.
Gjatë kësaj mbledhjeje plenare, pjesëmarrësit diskutuam gjithashtu për një sërë çështjesh të rëndësishme lidhur me zhvillimet më të fundit në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale në Bashkimin Evropian. Këto përfshinin anonimizimin e të dhënave, njoftimin për shkeljet e sigurisë, ndikimin ndërmjet Rregullores së Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (GDPR) dhe Aktit për Tregjet Digjitale (Digital Markets Act), si dhe sfidat që lidhen me përdorimin e inteligjencës artificiale dhe teknologjive të reja.
Pjesëmarrja aktive e Autoritetit Shqiptar në punimet e EDPB-së dhe diskutimet në nivel të lartë evropian theksojnë angazhimin e vazhdueshëm të Shqipërisë për të përmbushur standardet e Bashkimit Evropian në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale, si një pjesë thelbësore e procesit të integrimit evropian dhe forcimit të të drejtave themelore të qytetarëve.

