Administrata e Donald Trump ka nisur një tjetër përplasje me Europën, këtë herë nuk bëhet fjalë për tarifa, mbrojtje apo NATO, por për çmimet e ilaçeve.
Sipas një raporti ekskluziv nga Politico, Uashingtoni ka iniciuar një ofensivë diplomatike të gjerë në të gjithë Europën, me qëllim që të bindë qeveritë për të rritur shpenzimet për barnat. Qeveria amerikane argumenton se qytetarët amerikanë kanë mbajtur për shumë vite pjesën më të madhe të kostos së inovacionit farmaceutik, ndërsa vendet europiane përfitojnë nga çmime dukshëm më të ulëta.
Ambasadat amerikane në Europë janë angazhuar gjithashtu në këtë përpjekje, duke përpjekur të inkurajojnë qeveritë europiane të adoptojnë një model të ngjashëm me atë të Britanisë së Madhe, e cila ishte vendi i parë që arriti një marrëveshje me administratën Trump për këtë çështje.
Mesazhi i Uashingtonit është shumë i qartë: nëse Europa nuk pranon të paguajë më shumë për ilaçet, rrezikon të humbasë investime të rëndësishme në sektorin farmaceutik dhe të mbetet prapa në aksesin ndaj terapive më të avancuara.
Qendra e kësaj strategjie është Gjermania, tregu më i madh farmaceutik në Europë. Sipas burimeve të Politico, ministrja e Shëndetësisë, Nina Warken, dhe ministrja e Ekonomisë, Katherina Reiche, kanë zhvilluar biseda konfidenciale me Departamentin e Shëndetësisë amerikan për muaj me radhë. Në tryezë janë investime miliardëshe, politika tregtare dhe mënyrat se si përcaktohen çmimet e barnave.
Presioni amerikan vjen në një moment delikat për Berlinin, pasi qeveria gjermane është angazhuar në reforma që synojnë uljen e shpenzimeve publike për ilaçet, ndërsa Uashingtoni kërkon pikërisht të kundërtën: rritjen e financimeve për industrinë farmaceutike.
Industria farmaceutike argumenton se Europa paguan ndjeshëm më pak se SHBA për të njëjtat produkte. Për ilaçet e reja, pacientët në SHBA japin mesatarisht rreth tri herë më shumë sesa gjermanët. Administrata Trump po e sheh këtë diferencë si të padrejtë dhe kërkon që vendet europiane të kontribuojnë më shumë për mbulimin e kostove të kërkimit dhe zhvillimit të barnave.
Për të shtuar presionin, industria farmaceutike paraqet gjithashtu argumentin e investimeve. Sipas raportit, kompani farmaceutike kanë paralajmëruar se mund të reduktojnë ose të zhvendosin investimet nëse vendet europiane vazhdojnë të kontrollojnë çmimet e barnave.
Administrata Trump po e mbështetet në një precedent të krijuar nga Britania. Pak javë më parë, Londra dhe Uashingtoni nënshkruan një marrëveshje që garanton mbrojtjen e kompanive farmaceutike britanike nga tarifat amerikane për tre vjet. Në këmbim, Britania pranoi të rrisë gradualisht shpenzimet për medikamentet inovative dhe të lehtësojë kufizimet mbi çmimet e tyre.
Megjithatë, kjo marrëveshje britanike ka nxitur polemika të ashpra. Kritikët argumentojnë se qeveria britanike ka pranuar të paguajë miliarda paund shtesë pa marrë ndonjë përfitim të qartë në këmbim. Disa organizata madje kanë nisur edhe veprime ligjore për ta sfiduar atë.
Për më tepër, një tjetër element që po shqetëson Europën është politika e re e Trump për çmimet e barnave, e njohur si “Kombi më i favorizuar”. Sipas kësaj formule, e cila pritet të hyjë në fuqi nga janari, SHBA do të kërkojë të paguajë për ilaçet çmimin më të ulët të aplikuar në një grup vendesh të pasura, përfshirë edhe Gjermaninë.
Kjo situatë ka ngjallur shqetësim në industrinë farmaceutike, e cila frikësohet se kompanitë mund të shmangin shpërndarjen e produkteve të reja në vende si Gjermania ose shtete të tjera europiane për të mos ulur automatikisht çmimet në tregun amerikan, që mbetet tregu më fitimprurës në botë.
Megjithatë, shumë ekspertë europianë shprehin skeptikë ndaj kërkesave amerikane. Ata argumentojnë se sistemet shëndetësore europiane janë tashmë nën presion të konsiderueshëm financiar dhe se rritja e çmimeve të barnave do të rëndonte akoma më shumë buxhetet publike.
“Në Europë tashmë po paguajmë shuma të mëdha për ilaçet,” shprehet Yannis Natsis nga Platforma Europiane e Sigurimeve Shoqërore, duke theksuar se qeveritë nuk mund t’i japin industrisë farmaceutike një “çek të bardhë” gjatë një periudhe me presione të forta ekonomike.
Përtej debatit mbi ilaçet, kjo çështje po perceptohet gjithnjë e më shumë si pjesë e strategjisë së Trump për të rishikuar marrëdhëniet ekonomike me aleatët europianë. Pas përplasjeve për tregtinë, tarifat dhe shpenzimet për mbrojtjen, tani industria farmaceutike, një sektor me vlerë qindra miliarda euro dhe ndikim të madh në ekonomitë e të dy anëve të Atlantikut, është bërë pjesë e debatit transatlantik.

