35-vjetori i PS në Shkodër vulos fundin politik të Benet Becit

Publikuar me datë:

Festimi i 35-vjetorit të Partisë Socialiste në Shkodër dha një mesazh të qartë politik. Dhe ai mesazh nuk kishte të bënte me historinë e PS-së, por me të ardhmen e Benet Becit.

Për herë të parë pas shumë kohësh, socialistët e Shkodrës u mblodhën në një aktivitet të rëndësishëm politik pa figurën që deri dje konsiderohej njeriu më i fuqishëm i kësaj force në qytet. Në vend të tij, në qendër të vëmendjes ishte Enea Karakaçi, drejtuesi i ri politik i PS për Shkodrën. Një detaj që për shumëkënd nuk është aspak rastësi.

Prej muajsh flitet se Benet Beci po humbet terren brenda Partisë Socialiste. Ajo që dikur konsiderohej si thashethem politik, tashmë po shfaqet hapur para syve të të gjithëve. Mungesa e tij në një aktivitet kaq simbolik është një sinjal që nuk mund të injorohet.

Për 3 vite me radhë, Beci ndërtoi imazhin e një njeriu të fortë, të paprekshëm dhe me mbështetje direkte nga Edi Rama. Fitorja në Shkodër e ngriti edhe më shumë profilin e tij politik. Por në politikë nuk ka miqësi të përhershme dhe as privilegje të përjetshme. Kur gabimet kthehen në faje, rënia është e shpejtë dhe shpesh e pamëshirshme.

Sot Benet Beci po përjeton pikërisht këtë moment. Njeriu që deri dje vendoste kush ngrihej dhe kush largohej nga skena politike në Shkodër, po sheh një nga një rikthimin e figurave që ai i konsideronte të mbyllura politikisht dhe që vetë i largoi. Ata që u lanë në hije po rikthehen. Ata që u përjashtuan po marrin sërish rol. Dhe kjo nuk ndodh rastësisht.

Ndryshimet e fundit brenda Partisë Socialiste kanë treguar se balancat e vjetra nuk ekzistojnë më. Lidhjet politike që deri tani e mbanin Becin në majë nuk kanë më të njëjtën peshë. Njerëzit e tij kuk kanë më fuqinë që kishin dhe grupimet e larguara po rimarrin kontrollin e partisë.

Prandaj, mungesa e Becit në festën e 35-vjetorit nuk ishte thjesht një karrige bosh. Ishte një simbol. Një simbol i humbjes së ndikimit, i zbehjes së rolit të tij dhe i faktit se ai nuk është më qendra e gravitetit politik në Shkodër.

Në politikë ekziston një moment kur nuk ka më nevojë për deklarata apo shkarkime zyrtare. Mjafton të shohësh se kush është në skenë dhe kush ka mbetur jashtë saj. Në Shkodër, mesazhi i ditës ishte i qartë. Enea Karakaçi dhe ish-ët e PS Shkodër ishin në qendër të aktivitetit, ndërsa Benet Beci ishte mungesa që të gjithë vunë re.

Deri dje ai konsiderohej e ardhmja e socialistëve në Shkodër. Sot gjithnjë e më shumë po shihet si një figurë e djegur. Kur një parti fillon të organizohet pa ty, të promovojë figura të tjera dhe të rikthejë njerëzit që ti kërkove t’i largosh, atëherë alarmi politik nuk është më një thashethem. Është realitet.

Era e ndryshimit po fryn në Shkodër. Pyetja që mbetet është nëse Benet Beci do të arrijë ta ndalë këtë stuhi apo thjesht do të jetë viktima e saj e radhës pa harruar SPAK-un me të cilin ka shumë llogari të hapura.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related