Sot u zhvillua Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike, ku kreu i saj, Sali Berisha mbajti një fjalim të gjatë ku premtoi një fitore të afërt të PD-së dhe për ndryshimin e madh që, sipas tij, i pret shqiptarët.
Berisha u ndal te çështjet ekonomike, duke premtuar minimum jetik, dyfishim e trefishim të pensioneve dhe rroga më të larta se çdo vend tjetër në rajon. Ai theksoi se kujdesi i parë do të jetë për fëmijët dhe nënat, duke garantuar rrogë të plotë gjatë lejes së lindjes.
Për të rinjtë, Berisha premtoi studime, punësim dhe strehim, ndërsa për fermerët subvencione disa herë më të larta se mesatarja e rajonit.
Në fjalën e tij, Berisha akuzoi qeverinë Rama për shkatërrimin e ekonomisë dhe për kthimin e Shqipërisë në një “narkodiktaturë”. Ai foli për rënien e euros dhe dollarit, për kullat në Tiranë si “monumente të drogës”, dhe për rolin e Shqipërisë si eksportues kryesor i krimit dhe kanabisit.
Berisha kujtoi se në qeverisjet e mëparshme PD kishte vënë para drejtësisë bandat më të rrezikshme dhe u zotua se e njëjta gjë do të ndodhë sërish. Ai e përmbylli fjalën me premtimin për luftë kundër korrupsionit dhe transparencë të plotë në qeverisje.
Berisha pas votimit për anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar: Listë që përfaqëson elitën politike!
Në një deklaratë për mediat pas votimit për anëtarët e rinj të këshillit demokrat, Berisha tha se kandidatët në lista përfaqësojnë elitën poltike të shqiëprisë.
Sipas tij kjo e bën të vështirë zgjedhjen pasi kandidaturat janë të shkëqyera theksoi ai dhe janë të ndara në 3 kategori.
Sipas tij ripërtëritja do të bëhet në të gjitha seksionet.
“Unë jam i bindur se këto lista përfaqësojnë një elitë të vërtetë politike të Shqipërisë, përfaqësojnë një ripërtëritje në frymën e këtij kuvendi. Listat janë nga më dinjitozet por shumësia e kandidaturave e bën të vështirë zgjedhjen.
Sepse ka kandidatura të shkëlqyera. U vonova se janë 3 kategori, i kanë ndarë këtë herë në votimin veças për burrat, për zonjat e të rinjtë. Mendoj që kanë vepruar drejt në mënyrë që kuota e tyre të respektohet.
Uroj që gratë të arrijnë në 40% dhe është detyrim statutor dhe të rinjtë të jenë sa më të pranishëm. Ripërtëritje do të thotë vizion modernitet dhe organizmi më i fuqishëm. Nga seksioni deri në majë do ripërtërihet”. tha Berisha.
Berisha: Kush ndjek Salianjin, i mbyll hesapet me PD-në
Berisha u pyet edhe lidhur me tubimin e së premtes të zhvilluar në Tiranë nga Ervin Salianji.Siç u shpreh kreu i PD-së, pjesëmarrësit ishin vetëm individë të ndarë prej kohësh nga kjo parti ose njerëz që në të vërtetë nuk kanë qenë kurrë pjesë e saj.
Berisha theksoi se nuk bëhet fjalë thjesht për kritikë, pasi brenda PD-së ka të shumta, por për njerëz që ndërmarrin veprime konkrete.
“Asnjë demokrat nuk kishte aty ç’është e vërteta. Ata që ishin dhe ata që folën janë prej kohësh të ndarë nga Partia Demokratike ose nuk kanë qenë kurrë në PD. Cilido që ndjek Salianjin, i mbyll hesapet me PD-në. Ata nuk janë kritikë të PD-së. Kritikë ka sa të duash në gjirin e partisë, por ata kanë veprime konkrete”,-tha Berisha.
FJALA E PLOTË E BERISHËS:
“Do të japim përgjigjen vendimtare varfërisë së skajshme në këtë vend të bekuar, vend me pasuri natyrore dhe pasuri të tjera më të mëdha se çdo vend tjetër për kilometrat që ka.
Ndaj dhe rikthemi tek ata të cilët numërojnë kafshatën.
Minimumi jetik, dyfishim dhe trefishimin e pensioneve, me një objektiv, unë nuk them se do kapim Gjermaninë, se do kapim Italinë apo Francën, por them se do të dalim në krye të rajonit për rrogat dhe pensionet sepse kemi qenë, sepse ishim.
Pra, vizioni ynë është shqiptarët më të paguarit dhe i garantoj të gjithë rrogëtarët në këtë vend se ata do paguhen më mirë se të gjithë të tjerët në këtë rajon.
Siguroj vogëlushët e Shqipërisë se sot në këtë narkoregjim, në këtë diktaturë autoritare janë viktimat më të shumta dhe më të pafajshme se kujdesi i parë dhe më i madh do jetë për ta.
Se me pagesat për fëmijët dhe minimumin jetik, asnjë fëmijë nuk do jetë i kërcënuar në Shqipëri. Jo!
Jo vetëm fëmijët, por nënat, merr fund gjysmërroga me lejet e lindjes. Rrogë e plotë për të gjithë periudhën.
Të rinjtë shqiptarë, PD me programin e saj ka vetëm një qëllim dhe ndër më kryesorët, ëndrra e tyre të ndërtohet në Shqipëri.
Por që ëndrra e tyre të ndërtohet në Shqipëri, ata duan studime, duan punësim, duan strehim.
Ne zotohemi në përparësi absolute në qëndrimin ndaj tyre.
Fermerët, që tani braktisin pasivisht fermat e tyre nga falimentimi, i garantoj se ata të cilët japin 20 përqind të prodhimit të këtij vendi dhe marrin vetëm 0.19 përqind sikur të ishin skllevër të shekullit të 19-të, do kenë mbështetje dhe subvencionet e shtetit të nivelit më të lartë, katër-pesë herë më të larta të nivelit më të lartë që ekzistojnë në rajon.
Pa dyshim, ekonomia në vizionin tonë do të jetë themeli i programit.
Miq, ne themeluam në Shqipëri ekonominë e tregut.
Ne bëmë shumë gjëra për lirinë e tregut.
Ne jemi forca politike e barrës fiskale më të ulët në Evropë dhe do mbetemi të tillë.
Ne do shkatërrojmë ekonominë e tregut dhe do rivendosim ekonominë e tregut.
Edi Rama me lobistët e tij të korruptuar përpiqet ta qortojë, pse flasim për narkoekonomi, pse flasim për narkoshtet.
Cilitdo shqiptari të ndershëm, cilitdo miku të Shqipërisë i kërkoj njerëzisht të kontrollojë, në cilin shtet në planet euro dhe dollari kanë thyer qafën më shumë, kanë rënë për tokë më shumë? Mund të mendojnë se ajo është Kolumbia. Mund të mendojnë se është Peruja. Jo, apo Meksika. Jo, jo! Shqipëria! Shqipëria e Rama-Dushkut, ka një rënie 32% të euros dhe dollarit. Një goditje fatale e eksporteve, kurse Meksika e ka vetëm 17%.
Ne insistuam dhe u thamë miqve, partnerëve tanë se Edi Rama zgjedhjet i ka shndërruar në farsë. Dhe ua faktuam! Janë dy libra me 2500 faqe, me fakte, dokumente, video që tregojnë shëmtinë e farsës elektorale në Shqipëri. Ne nuk tërhiqemi!
Ne do u faktojmë miqve tanë, se kjo është një narkodiktaturë, se ekonomia e Shqipërisë po shkatërrohet nga droga, se treguesi i ndërtimit, tre herë më i lartë se mesatarja e Bashkimit Europian, është tregues i kokainës, se kullat që shihni në Tiranë janë monumente të shëmtuara të kokainës dhe drogës. Pra, edhe këtë betejë do e fitojmë ne!
Dhe këtë betejë nuk e bëjmë vetëm për veten tonë. Jo! Këtë betejë e bëjmë për çdo qytetar të lirë të Europës dhe të botës. Po po! Shqipëria është eksportuesi kryesor i krimit. Është eksportuesi i parë i kanabisit.
Shqiptarët e Edi Ramës, të lidhur me Edi Ramën, janë transportuesit kryesorë të kokainës nga Europa… nga Amerika Latine në Europë. Ata kontrollojnë portet e Durrësit, kontrollojnë vendin. Ata marrin vendime për gjithçka. Zero tolerancë! Me forcën e ligjit do ta shtypim krimin siç e kemi provuar. Kudo që ndodhet, në Tiranë, në Shqipëri, në Ekuador, në Bolivi, në të katër anët, në Britaninë e Madhe, në Gjermani dhe kudo!
Këto banda, këta kriminelë do të japin llogari për krimin e shëmtuar që kryejnë ndaj Shqipërisë dhe kombeve të tjera. A e kemi faktuar ne këtë? E kemi faktuar ne këtë.
Ne në qeverisjet e mëparshme në 18 muaj i vumë para ligjit bandat më gjakësore. Ai fat i pret!
Dje më thoshte një mik, një publicist i njohur amerikan me interesa shumë të veçanta në rajonin… Si do t’ia bëni? Si do t’ia bëjmë thashë? Po ta themi, thashë. Në 2005 e shpallëm si zotim kryesor zero tolerancë ndaj krimit. Dhe natyrisht gazetarët, qytetarët më pyesnin, po me se do i luftosh këto banda?
Dhe unë u përgjigjesha, me policinë! Dhe tani prapë po të më pyesin, me policinë them prapë. Atë kohë, i them mikut tim, tre katër oficerë të lartë të policisë më kërkuan takim. Erdhën në zyrë dhe më thanë zoti kryeministër ne këtyre banditëve u dalim përballë shumë mirë. Por kemi vetëm një kërkesë. Urdhëro, u them unë. Kur ne ta nisim betejën, askush mos na pengojë.
Shikoni miq se cili ishte politika.
Bashkë me banditët do shkojnë dhe politikanët që i kanë bërë ata të tillë. Po! Shtëpia do pastrohet! Shtëpia do pastrohet! Dhe unë ju jap fjalën pasi të pastrojmë policinë nga narkotrafikantët, do shihni ju se sa burra dhe gra, trima dhe guximtarë ka mes tyre, që janë të gatshëm t’i bëjnë zap këta kriminelë kudo që janë dhe kriminelët me kollaro që i frymëzojnë ata. Ripërtëritja jonë është lufta kundër korrupsionit. Ne do bëjmë çdo gjë për zbatimin… ligjin e konfliktit të interesit që Edi Rama e ka përjashtuar.
Do bëjmë gjithçka për transparencën.

