Për tre ditë me radhë, Shkodra mirëpriti edicionin e dytë të Panairit të Librit “Libri të bën të lirë”, duke mbledhur autorë, botues dhe qindra qytetarë të apasionuar pas librit. Por ajo që ra në sy ishte mungesa e kryebashkiakut Benet Beci.
Ndërsa në panair u zhvilluan promovime librash, takime me autorë dhe aktivitete të ndryshme kulturore, nuk pati asnjë vizitë nga drejtuesit e bashkisë, asnjë mesazh përshëndetës dhe asnjë reagim publik për këtë aktivitet që zgjati tre ditë në qytet.
Mungesa bëhet edhe më e dukshme po të kihet parasysh se faqet zyrtare të Bashkisë promovojnë rregullisht aktivitete dhe evente të ndryshme. Për panairin e librit, megjithatë, nuk pati asnjë postim apo referencë.
Kjo ka ngritur pikëpyetje mbi vëmendjen që institucionet vendore i kushtojnë kulturës dhe promovimit të leximit. Në një qytet që prej vitesh identifikohet si një qendër e rëndësishme kulturore, pritej të paktën një prani simbolike dhe mbështetje institucionale për një aktivitet të tillë.
Panairi i Librit “Libri të bën të lirë” u zhvillua me pjesëmarrjen e botuesve nga trojet shqipfolëse dhe të shumë vizitorëve, duke u kthyer në një nga aktivitetet më të rëndësishme kulturore të ditëve të fundit në Shkodër.

