61 bashki, 312 njësi administrative/ Raporti zbardh problemet që duhet të adresojë Reforma Territoriale

Publikuar me datë:

Reforma e re Territoriale duhet të shoqërohet me një riorganizim të plotë administrativ, financiar dhe zgjedhor të pushtetit vendor sugjeron Instituti për Bashkitë e Shqipërisë në raportin “Qeverisja Vendore në Shqipëri 2025”. Studimi vlerëson se struktura aktuale e qeverisjes vendore në Shqipëri është relativisht e përqendruar. Me 61 bashki, vendi ka mesatarisht rreth 39 mijë banorë për njësi vendore, më shumë se mesatarja prej rreth 34 mijë banorësh në Ballkanin Perëndimor dhe rreth 22,455 banorë për bashki në Bashkimin Europian.

Sipas Institutit një nga problemet që reforma e re duhet të adresojë është organizimi i brendshëm i bashkive. Megjithëse ish-komunat nuk ekzistojnë më si njësi të qeverisjes vendore, në territor vazhdojnë të funksionojnë 312 njësi administrative me kufijtë e mëparshëm.

Bashkitë janë konsoliduar në nivel politik dhe financiar, ndërsa administrimi në territor mbetet ende i fragmentuar. Për këtë arsye, Instituti rekomandon riorganizimin funksional të njësive administrative, krahas digjitalizimit të shërbimeve dhe forcimit të mekanizmave të demokracisë lokale. Synimi është që konsolidimi i bashkive të mos shoqërohet me largimin e qytetarëve nga shërbimet dhe vendimmarrja, veçanërisht në zonat rurale.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm që sugjerohet është kalimi drejt decentralizimit asimetrik. Sipas Institutit për Bashkitë, nuk është efikase që të gjitha bashkitë të kenë të njëjtin model kompetencash, pasi ato ndryshojnë ndjeshëm për nga popullsia, burimet financiare dhe potenciali ekonomik. Bashki të mëdha si Tirana, Durrësi apo Fieri kanë mundësi shumë më të mëdha se bashkitë e vogla rurale ose ato që po përballen me tkurrje demografike.

Instituti argumenton gjithashtu se kompetencat e dhëna bashkive duhet të shoqërohen me financim të plotë. Transferimi i funksioneve pas reformës së vitit 2015, sipas raportit, nuk është mbështetur gjithmonë me burime të mjaftueshme financiare, njerëzore dhe teknike. Për këtë arsye, funksionet e transferuara duhet të trajtohen si funksione të plota të bashkive dhe financimi i tyre të integrohet në buxhetet vendore./Monitor

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related