Në moshën 49-vjeçare, Manjola Tuzi nga Shkodra ka vendosur të rikthehet në shkollë, duke nisur arsimin e mesëm pas një ndërprerjeje prej rreth 30 vitesh. Nëna e tre fëmijëve ndjek mësimin me kohë të pjesshme, në orët e pasdites, në shkollën e mesme “Kolë Idromeno”.
Edhe pse e kishte nisur arsimimin në fillim të viteve ’90, në degën e tekstilit në shkollën profesionale teknologjike, ndryshimet e sistemit bënë që ky arsimim të mos i njihej si arsim i mesëm. Shkolla ku kishte studiuar u shndërrua në një kurs profesional, duke e lënë pa mundësinë për të përfunduar ciklin që kishte nisur.
Sot, pas kaq shumë vitesh, Manjola e ka gjetur sërish mundësinë për të vazhduar shkollimin dhe thotë se ndihet e lumtur për këtë vendim. Rrugëtimi i saj nuk ka kaluar pa paragjykime, por 49-vjeçarja shprehet se komentet e të tjerëve nuk e kanë ndalur.
Mbështetja e familjarëve ka qenë një shtysë e rëndësishme për të ndërmarrë këtë hap. Tashmë, përmes përvojës së saj, Manjola përcjell edhe një mesazh për të gjithë ata që hezitojnë të rikthehen në shkollë për shkak të moshës apo mendimit të të tjerëve.
Rasti i saj vjen në një kohë kur shkolla e mesme “Kolë Idromeno” në Shkodër ka 370 nxënës. Prej tyre, 289 ndjekin arsimin me kohë të pjesshme, të organizuar në tre vite, ndërsa 81 nxënës të tjerë zhvillojnë mësimin me kohë të plotë.
Këtë vit, institucioni arsimor është rikonstruktuar plotësisht, duke ofruar ambiente të rinovuara dhe kushte më të mira për nxënësit që zgjedhin të ndjekin arsimin e mesëm, pavarës
isht moshës.

