Pedagogu Fitim Zekthi ka analizuar zhvillimet e fundit politike në Kosovë, duke u fokusuar në mënyrën se si Albin Kurti drejton dhe menaxhon proceset politike në vend.
Zekthi e përshkroi qasjen politike të Kurtit si të ngjashme me “shkuljen e timonit të autobusit”, duke theksuar se kjo metodë sjell një mjedis të paparashikueshëm në politikë dhe sipas tij, është larg standardeve të një qeverisjeje të mirë.
Sipas Zekthit, Kosova ka nevojë të udhëhiqet nga një model qeverisës i përgjegjshëm, pasi ende përballet me sfida të mëdha ndërkombëtare dhe të brendshme për konsolidimin shtetëror.
“Albin Kurti përdor një teknikë politike të shkuljes së timonit të autobusit. Unë e shkul këtë dhe i them: ‘O hap rrugën se të rashë, ose bëj diçka’. Unë s’e kontrolloj dot timonin. Por mua kjo nuk më pëlqen te politikanët, sepse tregon që luajnë me paparashikueshmërinë. Politika e mirë nuk mund të jetë kështu. Kosova është një vend që ende lufton të njihet ndërkombëtarisht dhe ka një sfidë gjigante të ekzistencës së vet. Ka nevojë për një qeverisje model. Do të duhej që të gjithë të kafshonin gjuhën atje. Ajo që u sakrifikua në luftë, gjaku i njerëzve, do të duhej që edhe sot t’i bënte të bënin një sakrificë, të hiqnin dorë nga epshet e pushtetit. Prandaj, të shqetësuar duhet të kemi përgjegjësinë e atyre që shkuan në luftë. Kosova vërtet bën zgjedhje, por demokracia nuk është thjesht çështja e zgjedhjeve. Është kusht i domosdoshëm, por jo i mjaftueshëm. Demokracia ka të bëjë me ndarjen e pushteteve, sundimin e së drejtës. Nëse ti ke një pushtet ekzekutiv që kontrollon prokurorinë, gjykatat, nëpërkëmb parlamentin, kjo nuk është më demokraci”, tha ai.

