Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në zonën e Lozhanit në Maliq ku një efektiv i forcave ‘Shqiponjave’ ka mbetur i vrarë gjatë një shkëmbimi me armë zjarri me një të shpallur në kërkim për shitje të narkotikëve.
Viktima është identifikuar si Enea Mekolli ndërsa i plagosur ka mbetur dhe efektivi tjetër Edison Adri.
Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 07:30, shërbimet e Policisë së Korçës, Maliqit dhe Forca e Posaçme “Shqiponja” kanë rrethuar zonën e Lozhanit, në malin Boden, ku dyshohej se fshihej shtetasi Violand Braçellari, 43 vjeç.
Ky i fundit një ish-ushtarak ishte i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” për “Kultivim të bimëve narkotike”.
Policia i ka bërë thirrje të dorëzohej, por Braçellari ka hapur zjarr ndaj efektivëve.
Si pasojë, ka humbur jetën inspektori Enea Mekolli 34 vjeç, dhe është plagosur inspektori Edison Adri 36 vjeç.
Të dy ishin pjesë e Forcës së Posaçme “Shqiponja”.

