Një viktimë e tretë është regjistruar nga malaria në rajonin pranë Aeroportit të Frankfurtit, në një ngjarje të cilësuar nga autoritetet gjermane si një shpërthim tepër i rrallë i kësaj sëmundjeje tropikale, i lidhur me trafikun ajror.
Të enjten, bashkia e Frankfurtit bëri të ditur në një deklaratë se një prej dy banorëve të infektuar të zonës Schwanheim, që ndodhet në veri të aeroportit, ka ndërruar jetë teksa ishte i shtruar në spitalin universitar të qytetit.
“Të dy individët ishin infektuar me parazitin ‘Plasmodium falciparum”, që shkakton malarien, edhe pse nuk kishin udhëtuar në ndonjë rajon ku malaria është endemike dhe nuk kishin punuar në aeroport”, theksohet në deklaratë.
Më 27 gusht, autoritetet qytetare informuan opinionin se dy punonjës të aeroportit kishin humbur jetën për shkak të malaries, ndërsa katër persona të tjerë ishin shëruar nga kjo sëmundje.
Mushkonjat e disa specieve janë përgjegjëse për transmetimin e parazitit të malaries te njerëzit, ndërkohë që infektimi nuk mund të ndodhë nga personi te personi.
Aeroporti i Frankfurtit bëri të ditur që mostrat e mushkonjave të mbledhura gjatë korrikut dhe gushtit janë dërguar për analizë në një laborator në Antverp të Belgjikës, por nuk ka ende rezultate të disponueshme.
Sipas një zëdhënësi të aeroportit, autoritetet lokale të shëndetësisë publike kanë, në parim, të drejtën të kërkojnë nga kompanitë ajrore që të kryejnë dezinfektimin e avionëve.

