Ushtria në duart e Ron Yeffet, si po kontrollon miku i Edi Ramës industrinë ushtarake të Shqipërisë

Publikuar me datë:

Kur ish-zv. kryeministri Arben Ahmetaj do të denonconte për herë të parë shtetasin izraelit Ron Yeffet, jo vetëm si mik të kryeministrit Edi Rama, por edhe si bashkëpunëtor të tij, shumë pak e njihnin. Ai do të shfaqej në skenë në çdo takim ku palë do të ishin izraelitët por jo vetëm, siç u mësua më pas, Ron Yeffet, pas Charles Mcgonigal do të ishte sekseri politik- diplomatik dhe ekonomik për kryeministrin shqiptar. Por miqësia për qëllime politike e pushteti, u pasuan me një kosto jo vetëm financiare për shqiptarët por edhe më një rrezik sigurie që nuk cënon vetëm Shqipërinë, por edhe Aleancën e NATO-s, ku Shqipëria shtë pjesë. Sot do tju sjellim fakte skandaloze mbi figurën e Ron Yeffet, i cili nuk është thjesht një biznesmen, nuk është thjesht personi që përfiton miliona euro nga qeveria dhe i është dhënë në dorë industria e armëve nga Edi Rama.

Me dokumente të siguruara nga institucionet e drejtësisë amerikane, do tju tregojmë se Ron Yeffet, është një personazh pjesë e padive në të paktën 4 herë për raste mashtrimi e zhvatje si dhe një rasti hetimi penal për korrupsion në Senegal.

Më e rëndë bëhet situata, pasi për të realizuar këto mashtrime miliona euro ndaj biznesmenëve amerikanë por edhe institucioneve ndërkombëtare rol ka patur edhe kryeministri shqiptar Edi Rama, që jo vetëm i ka vënë në dispozicion imazhin dhe aksesin në Shqipëri Ron Yeffet, por ka asistuar në takime mashtruese për tu treguar të mashtruarve se Ron Yeffet është një personazh i rëndësishëm pranë qeverisë shqiptare.

Para se të transmetojmë këto dokumente që fusin Shqipërinë në skandale ndërkombëtare, do tju sjellim edhe njëherë në vëmendje se kush është Ron Yeffet dhe milionat që ai ka përfituar nga taksapaguesit shqiptar, falë marrjes me VKM të prodhimit dhe tregëtimit të armëve nga Shqipëria.

Në dy vitet e fundit, kryeministri Edi Rama shfrytëzon thuajse çdo dalje për të treguar se Ushtria shqiptare po rilind, e madje, siç dikur me satelitët Albanian One dhe Albanian Two, këtë herë mori përsipër të deklaronte se tashmë flamurin shqiptar do e kishin edhe dronët e prodhuar, fal këtyre marrëveshjeve sekrete.

Kryeministri Edi Rama duket se ka patur plotësisht të drejtë, kur u shpreh se ai dhe bashkëpunëtorët e tij nuk janë budallenj, që të bëjnë tendera të drejtë, të marrin oferta konkurruese apo të shpenzojnë buxhetin e ushtrisë pa abuzuar me fondet e shqiptarëve. E këto fonde, siç tha vetë kryeministri nuk do të shkojnë më jashtë por do të përkthehen në investime në Shqipëri, ku shteti do të përfitojë sërish nga ngritja e kompanisë publike KAYO, të cilën mori përsipër ta mbrojë njësoj si AKSHI-n e Mirlinda Karçanajn.

Pasi kishte gati planin, kishte krijuar KAYO-n për të qenë në krye të të gjithë operacionit, javën e shkuar, në datë 10  prill, kryeministri Edi Rama miratoi dy VKM të posaçme, për tu hapur rrugë KAYO-s që të negociojë me kompani private që të nisin punën për industrinë e armëve, por me pikëpyetje të mëdha sa i përket sigurisë së NATO-s. Me këto dy VKM, Edi Rama i dha dritën jeshile krijimit të kompanive, ku për prodhimin e dronëve, shteti do të ketë 25 % aksione dhe për prodhimin dhe riparimin e mjeteve lundruese do të ketë 40 % të aksioneve. Por duket se cila do të jetë kompania private që do të krijohet dhe që do të marri të drejtën e prodhimit të armëve, ku një vend anëtar i NATO-s është thjesht garantor që jep miliona,  është i paracaktuar, fal vizionit të Ron Yeffet, personazhit izraelit i akuzuar tashmë në SHBA për zhvatje e mashtrim.

Nga investigimi i emisionit Plug rezultoi se në datën 4 Gusht 2025, vetëm 20 ditë pas hyrjes në fuqi të VKM-së së parë, themelohet shoqëria TIMAK DEFENCE. Pra sipas përcaktimeve ligjore brenda 20 ditëve janë kryer procedurat e mëposhtme: Hyn në fuqi VKM që krijon kuadrin ligjor për krijimin e një shoqerie të tillë; Merret vendimi nga Asambleja e KAYO për të krijuar një shoqëri të tillë; Hapet dhe mbyllet procedura konkuruese nga KAYO ose nëse ka patur ofertë nga subjekti privat; Autorizohet Ardi Veliu për ngritjen e grupit të negocimit, negociohet dhe përmbyllen me sukses si dhe firmoset marrëveshja e bashkëpunimit. Pra shihet qartë se kjo VKM ishte thjesht hapja e rrugës për një pazar të përcaktuar më parë dhe kjo kuptohet kur analizojmë shoqërinë TIMAK. E për më tepër është e pamjaftueshme që brenda 20 ditëve të ideohet, projektohet, analizohet dhe konkretizohet një marrëveshje e tillë, e aq më shumë për të parë interesat e shtetit, siç shprehet kryeministri Edi Rama.

TIMAK DEFENCE themelohet në 4 gusht të vitit 2025 me aksion 80 % kompaninë TIMAK dhe 20% KAYO, siç me VKM-në e dytë u ul pa asnjë sqarim përqindja e akisoneve shtetërore në këtë kompani, duke i lënë privatit thuajse të gjithë pjesën e fitimit. Administratore e kësaj kompanie do të jetë ARJETA PUCA.

Po kush është kompania TIMAK?

Kjo kompani u përdor si baza shqiptare për zbatimin e planit të Edi Ramës dhe Ron Yeffet. TIMAK është themeluar në vitin 2016 me aksioner 50% APOSTOL PAPA dhe 50% ARJETA PUCA. Edhe pse një kompani e suksesshme në vitin 2021 Apostol Papa i shet aksionet ortakes Ajeta PUCA. Menjëher pas miratimit të VKM së parë në 11 qërshor të vitit 2025, Arjeta Puca vendos të shes 49% të aksioneve shtetasit RON YEFFET. Pikërisht këtu del në skenë edhe qëllimi dhe personazhet kryesorë të kësaj skeme.

Ron Yeffet u shfaq si miku izraelit i kryeministrit Edi Rama, i cili qëndron pas kontakteve të kompanisë Elbit Sistem të sanksionuar nga NATO për korrupsion e mashtrim.

Sipas kontratës së datës 19.06.2025, Ron YEFFET blen 49 % të aksioneve të shoqërisë TIMAK për vlerën qesharake të 490 euro, edhe pse vetë Arjeta Puca i kishte blerë nga ortaku në vlerën 1000 euro. Kujtojmë se TIMAK ishte një kompani e konsoliduar dhe vetëm fitimi i vitit 2024 ishte 1.3 milion euro.

Të dhënat e kompanisë TIMAK ngrenë edhe më shumë dyshimet për një skemë mashtruese, me qëllim të vetëm përfitimin e parave të shqiptarëve dhe marrjen në dorë të industrisë së armëve, ku si kapital për ta realizuar kanë vetëm ambicien dhe miqësinë me kryeministrin Edi Rama.

Nga anlizimi i të dhënave rezulton se kompania TIMAK, jo që nuk ka punësuar qindra punonjës, siç deklaronte publikisht EdI Rama, por sipas bilanceve të saj ka vetëm një punonjës të deklaruar dhe të ardhurat e saj ndër vite janë nga institucionet shtetërore dhe buxheti i taksapaguesve shqiptar.

Në vitin 2016, kur dhe u themelua kompania TIMAK nuk deklaron të ardhura, ndërsa në vitin 2017 deklaron 100.000 euro faturim dhe 30.000 euro fitim. Numri i punonjësve rezulton të jetë veç 1.

Vlera e pajisjeve që ka kjo kompani është 9.000 euro që do të thotë se TIMAK thjesht ka importuar ose blerë mjete nga subjekte të tjerë, pasi nuk ka as pajisje, as punonjës e as kapital për këto prodhime.

Po në bilanc shprehet se kompania ka 70.000 euro detyrime ndaj ortakëve.

Në vitin 2018 kjo kompani 10 fishon shitjet pasi tashmë janë në vlerën 1 milion euro dhe fitim 300.000 euro. Numri i punonësve është 3, pra ende flasim për një kompani që blen dhe shet mjete dhe nuk prodhon mjete.

Në vitin 2019 faturimi është 620.000 euro dhe fitimi 280.000 euro.

Në bilancin e vitit 2020 përftojmë të dhëna intersante pasi deklarohen 700.000 euro të ardhura të paarkëtuara nga klientët ku kryesisht janë ENETE SHTETËRORE.

Të ardhurat për vitin 2020 dhe pse vit pandemik janë 1.4 milion euro dhe fitim 80.000 euro.

Në vitin 2021 pas largimit të ortakut Apostol Papa bie dhe faturimi në vlerën 200.000 euro dhe fitim 10.000 euro.

Në vitin 2022 të ardhurat janë në vlerën 630.000 euro dhe fitim 30.000 euro. Gjatë këtij viti shpenzimet për paga janë shumë të ulta që tregojnë se ka patur vetëm 1 punonjës.

Në vitin 2023 faturimi shkon në vlerën 2.8 milion euro dhe fitim 340.000 euro, një rritje galopante edhe pse vazhdon të ketë 1 punonjës që tregon se këto mjete ose importohen dhe nuk prodhohen ose importohen dhe modifikohen këtu me punonjës të padeklaruar nga shoqëria TIMAK. Pra duket qartë që edhe para ndërtimit të skemës me KAYO nga kryeministri Edi Rama, TIMAK fitimet i kishte nga fondet shtetërore, e për më tepër pa patur mundësinë e prodhimit të mjeteve të sigurisë, pasi nuk ka as punonjës dhe as njohurinë e duhur.

Ndërkohë në datën 23 korrik të vitit 2025, në Qendrën Kombëtare të Biznesit, depozitohet statuti i ri i kompanisë ku ndryshon dhe objekti i aktivitetit për tu përshtatur me marrëveshjen që do të firmosnin me KAYO.

Sipas statutit të ri, Arjeta PUCA në rolin e themelueses së Shoqërisë dhe Ron YEFFET në rolin e INVESTITORIT kanë lidhur një marrëveshje bashkëpunimi në datën 17 qershor vetëm pak ditë pasi u miratua VKM e parë për themelimin e kompaninsë TIMAK DEFENCE.

Po sipas satutit rezulton se fitimet e kësaj kompanie do të ndahen 50 me 50 dhe jo 51 me 49 siç janë aksionet. Pra duket qartë se në kohën që në Këshillin e Ministrave gatuheshin VKM-të për këtë skemë, në zyrat e kompanisë TIMAK gatuhej gatishmëria e kësaj kompanie për të plotësuar kuadrin ligjor. Edhe njëherë faktohet se nuk bëhet fjalë për ngritjen e një kuadri ligjor për ti ardhur në ndihmë e menaxhuar fondet e ushtrisë, por për nxjerrjen e ligjeve dhe VKM-ve për ti hapur rrugë skemës ku në qendër qëndron Ron Yeffet.

Tashmë mikut izraelit iu gjet dritarja e regjistrimit në Shqipëri, iu miratuan VKM të posaçme, dhe tashmë do të nis operacioni i thithjes së parave të taksapaguesve shqiptarë. Ndryshe nga sa deklaron kryeministri Edi Rama, se për këto kompani private shteti nuk do të paguaj asgjë, e kundërta ka ndodhur që në orët e para.

Askush nuk e mendon se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është budalla, por ama është fakt që shqiptarët po i trajton si budallenj, duke i mashtruar me të pavërteta. Vetëm javën e shkuar kryeministri Edi Rama deklaroi se për këto kompani dhe aktivitete private në sektorin e ushtrisë shqiptarët nuk do të paguajnë nga taksat e tyre. Por e vërteta duket se është shumë më ndryshe.

TIMAK DEFENSE u themelua në gusht të vitit 2025, dhe vetëm 3 muaj më pas, në tetor dhe nëntor 2025 merr 2 pagesa nga thesari në vlerën 1.048 miliard ose 10.48 milion euro. Pra 10 milionë euro, kryeministri Edi Rama ua ka dhënë vetëm 2 muaj pas themelimit, ndërsa shqiptarëve u thotë se nuk do të paguani.

Nga përshkrimet e pagesave përftojmë të dhëna të rëndësishme. Në datën 29 tetor 2025 Reparti Ushtarak 3001 bën pagesën e parë mbi 6 milionë euro me përshkrimin: Ndërtim i sistemit anti dron C-UAS ligji 36/2020 vkm 400 dt 16.7.2025 vendim KMS 3 dt 26.9.2025 kont 5774/2 dt 10.10.2025 urdher per zbatim kont 1980/1 dt 13.10.2025akt normativ 10 dt 8.10.2025 ft 1 dt 27.10.2025

Sipas këtij përshkrimi kuptohet se kontrata e parë me TIMAK DEFENCE është lidhur në 10 tetor 2025. Për të financuar këtë kontratë dhe për t’i kaluar fondin e parë 6 milionë euro mikut të tij, 2 ditë para kontratës Edi Rama ndryshoi edhe buxhetin e Shtetit nëpërmjet aktit normativ nr.10 datë 08.10.2025.

Pra edhe njëherë bie në sy se si e gjithë qeveria vihet në rresht e merr vendime për interesa të miqve të kryeministrit, ku buxheti i shtetit ndryshohet me qëllim financimin e aktivitetit të Ron Yeffet.

Në 3 nëntor kryhet pagesa e dytë 6.4 milionë euro nga reparti 4300 me përshkrimin: “Reparti 4001, 2025 blerje automjete taktike transporti të lehte vendim 2 dt 26.9.2025 shkrese e sp 6261/4 dt 30.10.25 urdher per monitorim 2230 dt 30.10.2025 kont 567 dt 29.10.2025 ft 2 dt 31.10.2025″.

Dyshimet për Ron Yeffet që është një personazh i dyshuar për mashtrim dhe zhvatje, tek të cilat do të ndalemi gjerësisht më pas, duket se nuk janë rrufe në qiell të hapur. Figura e tij e kompromentuar është përmendur edhe në skandale ndërkombëtare.

Emisioni Plug investigoi për këtë emër dhe rezultoi se ai që nga viti 2018 mban detyrën e Konsullit Honorifik të Senegalit në Izarael dhe njihet si mik i Presidentit të Senegalit Macky Sall. Ai shërbeu në Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (Israeli Defense Forces) si Major Sergeant në njësi artilerie dhe shpërthimi për rreth 37 muaj para se të fillonte karrierën e tij në sektorin privat si sipërmarrës dhe investitor.

Ai ka qëndruar në pozicione konsullore në kuadër të The Consular Corps of Israel, një organizatë që përmbledh konsuj nderi të shteteve të huaja akredituar në Izrael.  Yeffet figuron gjithashtu si biznesmen me interes në tregti dhe investime, me përfshirje në kompani dhe projekte të ndryshme, ndër to nëpërfshirë në Shqipëri dhe Senegal.

Ndërsa në Shqipërinë e propagandës, institucioneve të kapura dhe mediave me gojë të mbyllur, Ron Yeffet shfaqet si mik i kryeministrit, biznesmen i suksesshëm që merr edhe fonde publike, në Senegalin e kontinetit afrikan, duket se skandalet e këtij personazhi janë më të evidentueshme. Janë të paktën 2 skandale të zbuluara në Senegal ku i përfshirë është edhe emri i Ron Yeffet. E para lidhet me përftimin e një kontrate për ndërtimin e një pronë të qeverisë së Senegalit në New York.

I gjithë opinioni publik, tashmë e di se e njëjta skemë ishte programuar të ndodhte edhe me pronën e Ambasadës Shqiptare në SHBA, skandal ky i denoncuar nga ish-zv. Kryeministri Arben Ahmetaj.

Dhe skandali i dytë lidhet me një tokë 10.000 m2 në një zonë bregdetare në Senegal për ndërtim resorti. Kjo kontratë u prish nga qeveria e re në Senegal me largimin e Macky Sall nga pushteti.

Por Plug investigoi edhe më tej, Macky Sall në zgjedhjet e vitit 2019 mori mbështetjen dhe të një tjetër politikani shumë të rëndësishëm Senegalez, Cheikh Gadio.

Këtu investigimi bëhet edhe më interesant pasi ky emër lidhet me një tjetër rast korruptiv që mbërtheu mediat ndërkombëtare dhe ato shqiptare.

Cheikh Gadio u arrestua në nëntor të vitit 2017 sëbashku me shtetasin Kinez CHI PING PATRICK HO pasi u akuzuan për korrupsion për përfitime të shoqërisë kineze CEFC. Patrick HO është ish-kreu i CEFC Kinë, Energy Company Limited (“CEFC China”).

Sipas akt akuzës për këtë aferë u akuzua dhe Charles Mcgonigal. Në atë kohë, New York Post, lidhur me aferën McGonigal dhe Patrick HO, ku përmenden gjerësisht edhe Dorian Duçka me Edi Ramën, sqaronte se skemë e njëjtë si me Senegalin apo Shqipërinë ishte zbatuar edhe në vendet e tjera afrikane si Ccadi apo Uganda.

Patrick HO u dënua me tre vjet burg për rolin e tij në një skemë shumëvjeçare, shumëmilionëshe, për korruptim të zyrtarëve të lartë të Çadit dhe Ugandës, në këmbim të avantazheve të biznesit për CEFC Kinë.

Plug nuk disponon të dhëna konkrete, nëse Ron Yeffet është sot mik me Kryeministrin Edi Rama falë Charles Mcgonigal, por miku i korruptuar i FBI-së ka po të njëjtët bashkëpunëtorë me izraelitin Ron Yeffet, e të dy sëbashku rezultojnë miq të kryeministrit shqiptar. Madje lidhjet e këtij qarku forcohen edhe më shumë nga periudha kur zhvillohen këto skema. Fill në periudhën kur drejtësia amerikan konfirmon se Edi Rama takohej fshehurazi me Charles Mcgonigal, në Tiranë shfaqet edhe Ron Yeffet.

Janë shumë elementë që tregojnë se të gjitha këto zhvillime, miqësi e biznes të kurriz të taksapaguesve shqiptarë veç rastësi s’mund të jenë. Por për t’i konfirmuar ato, SPAK është i vetmi institucion, që mund të krijojë aksesin tek informacionet e autoriteteve amerikane, apo gjurmëve shqiptare, të provave të korrupsionit.

Por jo vetëm kaq, pak ditë më parë në Redaksinë e emisionit PLUG erdhi një denoncim ku na kërkonim të investigonim një Charter Privat Luksoz, me numër N418RY, i cili ka kryer fluturime të shpeshta në Tiranë, por të konsideruara sekret.

Sipas të dhënave, fluturimet e këtij charteri janë private por pronësia e tij lidhet me një kompani në amerikë. Sipas të dhënave të FAA (Departamenti i Transportit në USA) ky avion lidhet me kompaninë RY AVIATION INC.

Kjo kompani është në pronësi të Ron YEFFET. Duke parë që tashmë miku izraelit i Edi Ramës po përfiton jo veç miliona euro, por edhe prona e pasuri publike në një prej sektorëve kyç të sigurisë kombëtare siç është ushtria, edhe dyshimi më i vogël është një indicie për t’u hetuar. E aq më shumë, kur emri i këtij personazhi është përfshirë edhe në skandale të vendeve afrikane.

E pakta që SPAK mund të bëjë është zbulimi i të dhënave se sa here ky avion luksoz privat, ka udhëtuar drejt Shqipërisë, kush kanë qënë pasagjerët e çfarë ka transportuar.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related

Ushtria izraelite: Nuk e pranojmë armëpushimin në Liban!

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Izraelite, Eyal...

Plas në “Air Albania”/ Pas golit, futbollisti i Izraelit provokon tifozët, përplaset me Hysajn

Miqësorja Shqipëri-Izrael nuk ka kaluar pa tension. Ishte minuta...

Dervishi: Protesta, gjëja më e bukur për Shqipërinë pas marrjes së IBAR-it

Gazetari Lutfi Dervishi e ka vlerësuar protestën para Kryeministrisë,...