Ura e Mesit vijon të jetë një prej pikave turistike më të frekuentuara në Shkodër, duke mirëpritur çdo ditë vizitorë vendas dhe të huaj. Për turistët e huaj, kjo vepër historike tërheq vëmendjen për arkitekturën karakteristike, historinë dhe peizazhin natyror që e rrethon.
“Është hera e parë që vij në Shqipëri. Njerëzit janë shumë të mirë, ndërsa pamja është e mrekullueshme. Edhe koha është perfekte dhe plazhi fantastik”, u shpreh një prej vizitorëve.
Edhe shqiptarët po e përfshijnë gjithnjë e më shumë Urën e Mesit në udhëtimet e tyre, veçanërisht për fundjava, shëtitje, fotografi apo momente qetësie pranë natyrës. Për shumë prej tyre, ajo mbetet një ndalesë e rëndësishme gjatë vizitës në Shkodër.
“Ne udhëtojmë shumë nëpër Shqipëri dhe përpiqemi të vizitojmë sa më shumë vende. Sot erdhëm këtu për herë të parë”, tregoi një tjetër vizitor.
E ngritur në shekullin XVIII mbi lumin Kir, Ura e Mesit përfaqëson një nga monumentet më të veçanta të trashëgimisë kulturore të Shkodrës. Ndërtimi prej guri dhe arkitektura e saj e lidhin monumentin me periudhën osmane.
Me 13 harqet e saj, gurët e punuar dhe peizazhin që shtrihet mes lumit dhe maleve, Ura e Mesit ofron një kombinim të historisë, kulturës dhe natyrës. Për këtë arsye, ajo vijon të jetë një nga ndalesat e preferuara për turistët që zgjedhin të zbulojnë Shkodrën.

