Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” ka nisur përgatitjet për procesin e akreditimit të 41 programeve të studimit që ofrohen në katër prej fakulteteve të institucionit.
Me iniciativën e Rektores së Universitetit të Shkodrës, Prof. Dr. Blerta Dragusha, dhe nën kujdesin e Zëvendës Rektores Akademike, Prof. As. Dr. Eliana Laçej, në auditorin A3 u zhvilluan takime pune ndërmjet Sektorit të Sigurimit të Cilësisë dhe përfaqësuesve të katër fakulteteve, programet e të cilave do t’i nënshtrohen procesit të akreditimit.
Në këtë proces janë përfshirë programet e studimit të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Fakultetit të Shkencave Shoqërore, Fakultetit të Shkencave të Edukimit dhe Fakultetit Ekonomik.
Gjatë takimeve u diskutuan afatet dhe mënyra e dorëzimit të dokumentacionit, si dhe përbërja e dosjeve për secilin program studimi. Në fokus ishin edhe çështje që kërkojnë ndjekje të mëtejshme, përfshirë infrastrukturën e fakulteteve, organizimin, plotësimin e dokumentacionit institucional dhe elemente të tjera të nevojshme për përgatitjen e dosjeve të akreditimit.
Takimet me fakultetet do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim, me qëllim koordinimin e punës dhe përgatitjen sa më të plotë për procesin e akreditimit.
Universiteti i Shkodrës e konsideron sigurimin e cilësisë, përmbushjen e standardeve akademike dhe përmirësimin e vazhdueshëm si pjesë të rëndësishme të punës institucionale.

