Edhe pse muaji tetor po i afrohet fundit, numri i turistëve që zgjedhin të eksplorojnë Shkodrën mbetet i lartë. Vizitorë nga vende të ndryshme të Evropës, si dhe nga kontinente të largëta si Amerika e Jugut dhe Azia, po vijnë në këtë periudhë për të zbuluar bukuritë e rajonit të Shkodrës. Një ndërthurje e pasur mes historisë, kulturës, natyrës dhe mikpritjes tradicionale vazhdon ta kthejë Shkodrën në një destinacion gjithnjë e më të kërkuar çdo vit nga turistët.
Operatorët turistikë theksojnë se kërkesa më e madhe i përket zonave malore. Falë kushteve të mira të motit, shtohet fluksi i vizitorëve që eksplorojnë jo vetëm qytetin, por edhe atraksionet përreth Shkodrës.
Guidat turistike bëjnë të ditur se rezervimet vazhdojnë kryesisht në zona të tilla si Thethi, Boga, por edhe Vermoshi e Lepusha, të cilat përfshihen ndër destinacionet më të preferuara të këtij sezoni.

