Me një ceremoni solemne pranë memorialit në qendër të Postribës, Bashkia Shkodër përkujtoi sot 80-vjetorin e Kryengritjes së Postribës, një nga ngjarjet më të rëndësishme të qëndresës antikomuniste në Shqipëri.
Në nderim të pjesëmarrësve dhe martirëve të kësaj kryengritjeje u vendosën kurora me lule pranë memorialit.
Në ceremoni morën pjesë nënkryetarët e Bashkisë Shkodër, Alban Preka dhe Teuta Qyteza, kryetari i Këshillit Bashkiak, Oltion Luli, si dhe administratori i Njësisë Administrative Postribë.
Nën shoqërimin e Bandës Frymore të Qytetit, ceremonia përkujtimore përcolli mesazhin e respektit dhe mirënjohjes për të gjithë ata që, 80 vjet më parë, u ngritën kundër regjimit komunist në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë.
Kryengritja e Postribës mbetet simbol i guximit, qëndresës dhe sakrificës, ndërsa kujtimi i protagonistëve të saj vijon të nderohet ndër breza.

