Kërkimet arkeologjike janë rikthyer për të dytin vit radhazi në zonën e Gajtanit, ku specialistët po studiojnë potencialin paleolitik të shpellës pranë fortifikimit të njohur si “Qyteza e Gajtanit”.
Gjatë muajit shtator ka nisur një tjetër fushatë kërkimore në fshatin Gajtan, në kuadër të projektit “Gajtan, kërkime arkeologjike paleolitike në Shqipëri” (GRAAL).
Projekti zhvillohet përmes bashkëpunimit mes Institutit të Arkeologjisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, nën drejtimin e arkeologut Rudens Ruka, dhe disa institucioneve kërkimore shkencore franceze, mes tyre Njësia e Përbashkët Kërkimore 7194 – Histoire Naturelle de l’Homme Préhistorique, INRAP dhe Universiteti Perpignan Via Domitia.
Këtë vit, puna është përqendruar në sektorin qendror të shpellës, në pjesën e sipërme të saj, ku depozitimet janë shembur dhe ku janë ndërprerë gërmimet e zhvilluara në vitet 1980 nga arkeologu Anton Fistani.
Gërmimet po kryhen në mënyrë të kontrolluar, shtresë pas shtrese, me synim evidentimin dhe rikuperimin e mikrofaunës, si dhe të treguesve të ndryshëm mjedisorë që mund të ndihmojnë në rindërtimin e kushteve të jetesës dhe mjedisit të kësaj zone në periudhat e hershme.
Studiuesit synojnë që përmes kësaj fushate të krijojnë një panoramë më të plotë të potencialit paleolitik të Gajtanit dhe të përcaktojnë zonat që mund të kenë përparësi për kërkimet arkeologjike të vitit 2027.
Një tjetër objektiv i projektit është nxitja e interesit dhe përfshirjes në fushën e arkeologjisë paleolitike në Shqipëri, përmes pjesëmarrjes në punën kërkimore në terren.

