Redi Muçi: Edi Rama e ka humbur legjitimitetin në 4 fronte

Publikuar me datë:

Në ditën e 13-të të protestës më masive dhe më të bukur që ka parë Shqipëria, Edi Rama këmbëngul se projekti në Zvërnec do të realizohet. Shtrohet pyetja: pse? Shërbëtorët e qeverisë thonë sepse i vlen ekonomisë shqiptare, por e vërteta është se Edi Rama nga kjo aferë po humbet legjitimitetin në 4 fronte:

  1. Edi Rama nuk është më garant i trafikantëve dhe oligarkëve

Bazamenti ku mbështetet pushteti i tij është oligarkia dhe trafikantët e drogës. Deri më sot çdo projekt që është shpallur nga Rama, sado zhurrmë dhe sado kundërshti që ka hasur, është çuar përpara.

Kjo sepse Edi Rama ka qenë garanti i pastrimit të parave të trafikantëve dhe i përfitimit të oligarkëve, të cilët favoret e lejeve të ndërtimit dhe statusin e investitorëve strategjikë, ia kanë përkthyer në mbështetje të vazhdueshme mediatike (herë duke e folur e herë duke heshtur) dhe në financime miliona-euroshe të fushatave elektorale.

Ndërkohë, SPAK sapo ka nisur hetimet për disa prej emrave të përfolur të botës së krimit që qëndrojnë mbrapa disa prej mega-projekteve të firmosura nga Edi Rama. Nëse Edi Rama tërhiqet nga projekti i Zvërnecit, nga ky moment ai nuk është më garant i modelit që e ka ngritur vetë.

  1. Edi Rama nuk është më garant i ndërkombëtarëve

Lobimi i tij shumëvjeçar me liderët e BE-së ka bërë që Edi Rama të shfaqej në sytë e ndërkombëtarëve si e vetmja alternativë politike në gjendje për të çuar përpara procesin e negociatave për anëtarësimin. Jo për ndonjë meritë të Edi Ramës, por për shkak të servilizimit ndaj disave – si për shembull Giorgia Melonit – por edhe për faktin e thjeshtë se qëndrimi i Sali Berishës haptazi kundër sistemit të ri të drejtësisë, nuk lejonte alternativa të tjera.

Që prej nisjes së protestave, puna në komisionet parlamentare ka ndalur, projekligjet e përafrimit me acquis communautaire kanë ndalur, ndërsa Komisoni Evropian ka bërë thirrje për anulimin e amendamenteve të ligjit për zonat e mbrojtura dhe ligjit për investimet strategjike. SPAK, ndërkohë, ka hedhur akuza të reja ndaj Belinda Ballukut, një tjetër pikë e fortë kundërshtie e ndërkombëtarëve ndaj qeverisë Rama, të cilët e kuptojnë se Edi Rama nuk është më garanti i integrimit të Shqipërisë në BE.

  1. Edi Rama nuk është më garant i pushtetit të Partisë Socialiste

Qëkurse mori në dorë frerët e PS, Edi Rama u premtoi të vetëve vetëm një gjë: pushtetin. Për hir të këtij pushteti, ai nuk do vihej kurrë në dyshim si kryetar i partisë, vendimet e tij nuk do diskutoheshin kurrë dhe çdo zë që cicëronte kundër korit të paracaktuar, ose heshtohej prerazi, ose fluturonte diku tej. Të ishe brenda Partisë Socialiste do të thoshte të ishe në rresht.

Në Kuvend duhej të ngrije kartonin me të njëjtë ngjyrë si Taulant Balla; në administratën publike do bëje dyfish punë edhe për partiakët që marrin rrogën kot, në drejtorinë ku ishe caktuar do bëje patronazhistin, pavarësisht se akumuloje urrejtjen e vartësve; në lagje e në komunitet do shantazhoje edhe berberin edhe dyqanxhiun që del në protestë. Protesta madhështore e këtyre 12 ditëve, i ka bërë të gjithë të kuptojnë se Edi Rama nuk është më garanti i pushtetit të Partisë Socialiste, me gjithë ndihmën që i jep Berisha në krye të PD.

  1. Edi Rama nuk është më garant i sundimit mbi shqiptarët

Në mendjen e shumë shqiptarëve, Edi Rama ishte sundimtari i gjithëpushtetshëm i cili nuk mund të lëkundej kurrë nga froni.

Ai kishte mbledhur rreth vetes oligarkët dhe trafikantët, kishte kapur shërbimet e të gjitha mediave, kishte sofistikuar mekanizmin e shantazhimit përmes patronazhimit, kishte përballë një parti opozitare të plakur dhe anakronike, dhe tashmë dukej se po blinte edhe favoret e Donald Trampit. Kjo pasqyrë e përçudnuar që u servirej shqiptarëve çdo mbrëmje nëpër banaqet televizive, linte jashtë ekuacionit revoltën popullore.

Momentin kur spontanisht, masivisht, rinia del në rrugë dhe prej saj shpërthen një energji dhe një entuziazmën që nuk është parë kurrë më parë. Që flak tutje çdo frikë, çdo pushtet të kalbur, çdo shantazh të ndyrë, çdo përpjekje për të përçarë, çdo përbaltje me agjentura të huaja, çdo shërbëtor të pafytyrë, çdo halabak të fryrë. Ky është momenti kur Edi Rama nuk është më garanti i çizmes mbi fytin e shqiptarëve.

Sot më shumë, e nesër edhe më shumë!

Nga Redi Muçi, Lëvizja Bashkë

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related

“Investimi në Zvërnec i domosdoshëm”/ Rama në 35-vjetorin e PS: Rrjetet sociale keqinformojnë

“Të dashur themelues, përfaqësues dhe anëtar e anëtare të...

Teherani publikon tekstin me 7 pika të marrëveshjes me SHBA-në

Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve, IRNA, ka prezantuar versionin...

Ndalohen mediat, detaje nga festa e 35-vjetorit të PS-së

Partia Socialiste feston sot në orën 17:30, 35-vjetorin në...