Një përfaqësuese e diasporës shqiptare ka ndarë fjalët e saj gjatë një proteste qytetare që sapo ka nisur në Tiranë, duke e theksuar rolin e rëndësishëm që emigrantët luajnë në mbështetje të familjeve të tyre dhe duke bërë të qartë se do të jenë të pranishëm në protesta çdo ditë.
“Sot jam këtu për të dëshmuar se diaspora nuk është e pranishme vetëm një herë, por do të jemi çdo ditë”, tha ajo para turmës së mbledhur.
Gjatë fjalës së saj, protestuesja theksoi kontributin ekonomik që emigrantët ofrojnë për familjet në Shqipëri, duke përmendur se ata blejnë ilaçe për prindërit e tyre, paguajnë faturat e ujit dhe energjisë elektrike dhe ndihmojnë në përballimin e shpenzimeve të përditshme.
“Le të jemi të qartë, diaspora është ajo që blen ilaçet për nënat dhe baballarët, dhe paguan shërbimet për ujë dhe energji. Pa mbështetjen e diasporës, mijëra familje do të ishin në rrezik mbijetesë”, u shpreh ajo.
Protestuesja e përshkroi emigrimin si një sakrificë të vazhdueshme, duke kujtuar nënat dhe baballarët që jetojnë larg fëmijëve të tyre, si dhe të rinjtë që punojnë në vende të tjera për të mbështetur jetesën e familjeve në Shqipëri.
Sipas saj, vendi “mbahet gjallë nga ata që punojnë larg”, ndërsa iu bëri thirrje qytetarëve dhe diasporës për të vazhduar angazhimin e tyre në protestat që po zhvillohen në kryeqytet.

