Një 39-vjeçar është arrestuar këtë të hënë, pasi u kap në flagrancë duke ndihmuar 19 emigrantë të paligjshëm të kalonin ilegalisht kufirin drejt Malit të Zi.
Sipas raportimeve të policisë, në pranga ka rënë B. L., 39 vjeç, i cili u kap në fshatin Alijaj të Shkodrës, duke transportuar me një automjet që e kishte marrë me qira, 16 emigrantë nga vendet e treta: 9 nga Afganistani, 5 nga Somalia dhe 2 nga Bangladeshi.
Njoftimi i plotë i policisë:
Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, në vijim të kontrolleve intensive për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë emigrantëve për kalim të paligjshëm të kufirit, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Transit”.
Si rezultat i operacionit, u arrestua shtetasi B. L., 39 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë Kufitare, në fshatin Alijaj, duke transportuar me një automjet që e kishte marrë me qira, 16 emigrantë nga Vendet e Treta (9 nga Afganistani, 5 nga Somalia, 2 nga Bangladeshi), që synonin të kalonin në mënyrë të paligjshme në territorin e Malit të Zi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

