Një shtetas shqiptar 58-vjeç është plagosur me thikë gjatë natës në Agia Galini, një zonë në Rethymno të Kretës, Greqi. Policia greke ka shpallur në kërkim një 17-vjeçar, që dyshohet si i përfshirë në incident.
Burime paraprake tregojnë se 58-vjeçari, i cili jeton me familjen në atë zonë, është sulmuar brenda banesës së tij. Ai ka pësuar dy plagë me thikë në bark dhe më pas është dërguar në Spitalin e Përgjithshëm Universitar të Heraklionit (PAGNI), ku po merr kujdes shëndetësor.
Fillimisht, pas plagosjes, ai u transportua drejt Qendrës Shëndetësore në Moires për ndihmën e parë. Duke qenë se lëndimet ishin serioze, ai u transferua me ambulancë dhe nën shoqërimin e një mjeku në spitalin universitar të Heraklionit.
Ndërkohë, autoritetet në Greqi kanë nisur hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe vijojnë kërkimet për 17-vjeçarin që dyshohet për përfshirje. Policia po punon për të zbuluar motivet që çuan në këtë sulm, si dhe mënyrën e ndodhjes së tij.

