Peshkimi me rrymë elektrike në Bunë, aktivistët: “Mjaft me shkatërrimin e lumit dhe Liqenit të Shkodrës!”

Publikuar me datë:

Peshkimi i paligjshëm vijon të jetë një problem i madh për lumin Buna dhe liqenin e Shkodrës, duke shqetësuar banorë, peshkatarë sportivë dhe mbrojtës të natyrës.

Rasti më i fundit u bë publik nga aktivistë dhe anëtarë të komunitetit “Peshkimi Sportiv Shkodër”, të cilët shpërndanë video ku shfaqet një varkë në lumin Buna, pranë liqenit të Shkodrës.

Pamjet kapin një mjet lundrues për të cilin dyshohet se po përdor rrymë elektrike për të peshkuar—një teknikë e ndaluar që sipas aktivistëve dëmton rëndë gjallesat dhe balancën e ekosistemit ujor.

Aktivistët i bëjnë apel autoriteteve përkatëse që të marrin masa konkrete ndaj këtij fenomeni, duke kërkuar mbrojtje për lumin Buna dhe liqenin e Shkodrës, të cilët konsiderohen pasuri me vlerë të veçantë natyrore.

Më poshtë publikohet reagimi i plotë:

“Në mëngjesin e sotëm ora 08:00, në lumin Buna, pranë Liqenit të Shkodrës. Jemi në vitin 2026, por peshkimi me rrymë elektrike vazhdon sikur të jetonim në një kohë pa ligj, pa ndërgjegje dhe pa përgjegjësi.”

“A do të vazhdojmë ende me këto metoda primitive shkatërrimi, të përdorura dikur në vende ku mungonin zhvillimi dhe kontrolli? A jemi vërtet kaq të papjekur si shoqëri, sa të mendojmë se duke shkatërruar natyrën mund të sigurojmë përfitim?”

“Rryma elektrike nuk kap vetëm peshkun e madh. Ajo vret peshqit e vegjël, vezët, gjallesat ujore dhe shkatërron ciklin e jetës në lumë. Përfitimi i sotëm zgjat vetëm një ditë, ndërsa dëmi mbetet për vite dhe faturën do ta paguajnë fëmijët tanë.”

“Buna dhe Liqeni i Shkodrës nuk janë pronë e disa individëve. Janë pasuri e përbashkët dhe trashëgimi që duhet t’ua lëmë brezave të ardhshëm. Nëse heshtim sot, nesër mund të kemi një lumë pa jetë dhe një liqen pa peshk.”

“Mjaft me shkatërrimin! Institucionet përgjegjëse duhet të ndërhyjnë, ndërsa ne si shoqëri duhet ta denoncojmë këtë krim ndaj natyrës. Mos mendoni vetëm për përfitimin e sotëm—mendoni se çfarë do të mbetet nesër.”

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related