Pas një përleshjeje mes disa të dënuarve të përfshirë në grupe kriminale në ambientet e paraburgimit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka hapur një procedurë disiplinore ndaj tetë punonjësve të Burgut të Fierit.
Burime bëjnë të ditur se Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve ka nënshkruar urdhrin që sanksionon largimin nga puna të tetë punonjësve të institucionit.
Dy prej këtyre punonjësve akuzohen për mosdorëzim të informacionit, ndërsa gjashtë të tjerët janë marrë në përgjegjësi për moskryerjen e detyrave të tyre.
Ndërkohë, hetimet nga Prokuroria e Fierit janë ende në vijim për të sqaruar rrethanat që çuan në përplasjen mes Aldo Gjinit, anëtar i grupit të Rrajave, dhe Jurgen Zotos e Denis Bajrit, të cilët konsiderohen të lidhur me grupin e Shkodrës.
Burimi: ABC News

