Vlora Çitaku është zgjedhur nënkryetare e Kuvendit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që kërkoi nga deputetët e legjislaturës së 11-të të përfundojnë zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit.
Çitaku është zgjedhur me 95 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Zgjedhja e saj vjen pas një përplasjeje të mëparshme lidhur me votimin e propozimit të PDK-së për nënkryetare. Në votimin e 11 shtatorit, Çitaku kishte marrë 44 vota për, një kundër dhe 56 abstenime dhe nuk ishte zgjedhur në këtë pozitë.
Ndërkohë, PDK-ja kishte kërkuar respektimin e të drejtës së saj për të propozuar nënkryetarin e Kuvendit, ndërsa çështja ishte bërë pjesë edhe e përplasjeve institucionale rreth konstituimit të Kuvendit.
Gjatë javës së kaluar, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se Kuvendi është konstituuar pas skadimit të afatit kushtetues prej 30 ditësh, ndërsa ka vlerësuar se zgjedhja e Qeverisë më 13 shtator nuk është në kundërshtim me Kushtetutën.
Po ashtu, gjykata ka konstatuar se Kuvendi duhet që sa më parë të zgjedhë nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar.

