Një tjetër rast i shitjes së drogave të forta në doza është goditur nga Policia e Durrësit gjatë operacionit të koduar “Pikat”, duke çuar në sekuestrimin e 297 dozave lënde narkotike të llojit heroinë dhe kokainë të bëra gati për tregtim në kryeqytetin e bregdetit.
Aksioni i ndërmarrë nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” u finalizua në lagjen nr. 16, ku u arrestua në flagrancë 21-vjeçari me iniciale J. K., banues në Shkozet. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj të riut, shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan 129 doza me heroinë dhe 168 doza me kokainë, të cilat do të shpërndaheshin në zona të ndryshme të qytetit.
Përfshirja e moshave të reja në rrjetet e shpërndarjes dëshmon depërtimin e thellë të lëndëve narkotike në nivel lokal, në një qytet që vijon të mbetet në qendër të fenomeneve të tilla kriminale. Materialet procedurale i kanë kaluar zyrtarisht Prokurorisë për ndjekje të mëtejshme penale.

