Një orkestër, tri kultura dhe një skenë, WBYO ndërthur muzikën shkodrane me repertorin europian

Publikuar me datë:

Nga Qamil Gjyrezi

Koncerti përmbyllës i Orkestrës Rinore të Ballkanit Perëndimor ishte, me të vërtetë, një ngjarje me vlera të veçanta artistike dhe historike për qytetin e Shkodrës. Pjesa e dytë e koncertit krijoi një atmosferë të veçantë emocionale për publikun shkodran. Veprat ishin përzgjedhur me profesionalizëm dhe përcollën fuqishëm emocionet që mbart muzika.

Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor e përmbylli turin e saj artistik në Shkodër me koncertin instrumental “Me dashni nga Shkodra drejt skenave europiane”, të zhvilluar në Teatrin “Migjeni”. Në skenë, muzikantët e rinj dhe mjaft të talentuar interpretuan një repertor me vepra të kompozitorëve shqiptarë dhe botërorë, duke i dhuruar publikut një mbrëmje të veçantë të muzikës simfonike. Koncerti u drejtua nga dirigjentët Desar Sulejmani dhe Harlen Nikolli.

Në një koment në Facebook shkrova për pjesën e dytë të koncertit: “Orkestra, me instrumentistë të një niveli shumë të lartë artistik, tingëllonte si një instrument i vetëm”.

Pas interpretimit të pjesës “From Shkodra with Love”, të orkestruar nga Gerti Druga, përcillet një mesazh artistik nga qyteti i operës së parë dhe i bandës së parë muzikore: duhet ta luajmë dhe ta përpunojmë më shumë muzikën tonë. Shqipëria dhe Shkodra kanë muzikë shumë të bukur, e cila duhet të prezantohet në Ballkan dhe në Europë.

Orkestrimi profesional i Gerti Drugës dhe interpretimi i muzikantëve nga Europa dhe vendet e Ballkanit i dhanë kuptime dhe ngjyrime të reja tingëllore muzikës shkodrane. Druga kishte përzgjedhur me kujdes tema të njohura të muzikës së Shkodrës, të cilat u interpretuan nën drejtimin e Desar Sulejmanit.

Sulejmani, krijuesi i kësaj orkestre, ka studiuar në Shkollën Artistike “Prenk Jakova”. Sot ai është një personalitet europian i artit muzikor.

Më pas, në skenë erdhi Ottorino Respighi me një kryevepër botërore. Respighi ka kompozuar tingujt e zogjve dhe të pishave të Romës, të cilët lidhen me biomuzikën. Edhe kënga shkodrane është frymëzuar nga natyra, lulet dhe vajzat shkodrane. “Po ti ç’i ke thanë dikujt” është një idiomë e Shkodrës.

Është një guxim i madh artistik që në të njëjtin koncert të interpretohen muzika e Respighit dhe temat e Shkodrës. Muzika është një gjuhë që mund të transmetojë më shumë se fjala e folur.

Seksioni i instrumenteve të tunxhit interpretoi bukur dhe me saktësi. Megjithëse shumë prej instrumentistëve ishin të huaj, ata e luajtën muzikën e Shkodrës si të ishte e tyrja. Spikati soloja e klarinetës, e mbështetur në sfond nga harqet, si edhe interpretimi i këngëve “Aman, Ulqinaken” dhe “S’ma don nana”. Sinkopat, instrumentet e tunxhit dhe trombonat i dhanë pjesës gjallëri, ndërsa mbyllja ishte e saktë dhe simfonike.

Desar Sulejmani dhe Harlen Nikolli

Dirigjenti dhe pianisti shqiptar Desar Sulejmani ka ndërtuar një karrierë ndërkombëtare. Ai është themelues dhe dirigjent artistik i Western Balkans Youth Orchestra – WBYO. Sulejmani punon me pasion dhe profesionalizëm për bashkëpunimin kulturor dhe afrimin e të rinjve nga vendet e Ballkanit Perëndimor përmes muzikës.

Ai njihet në shumë vende europiane dhe ballkanike për interpretimin e muzikës klasike dhe promovimin e talenteve të reja. Siç u përmend edhe më lart, Desar Sulejmani ka studiuar në shkollën e njohur artistike “Prenk Jakova” në Shkodër.

Harlen Nikolli është dirigjent dhe drejtues i Orkestrës Simfonike të Forcave të Armatosura – OSFA. Edhe kjo orkestër luan një rol të rëndësishëm në promovimin e muzikantëve të rinj dhe të talentuar. Nikolli ka drejtuar koncerte simfonike dhe ceremoniale brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Ai kontribuon në zhvillimin e jetës muzikore shqiptare dhe në promovimin e repertorit klasik dhe bashkëkohor, ndërsa vlerësohet për profesionalizmin dhe interpretimet e tij artistike.

Semiotika e veprës “Rapsodia Rumune nr. 1” të George Enescut

“Rapsodia Rumune nr. 1” e George Enescut është një vepër e njohur orkestrale, e kompozuar në vitin 1901. E shkruar kur kompozitori rumun ishte vetëm 19 vjeç, ajo ndërthur këngë tradicionale popullore, ritme të gëzueshme dhe lëvizje të shpejta, duke kulmuar në një finale të fuqishme vallëzimi.

Përdorimi i melodive popullore rumune simbolizon identitetin kombëtar dhe traditat e popullit rumun. Ritmet energjike të valleve përfaqësojnë gëzimin, festën dhe jetën në komunitet, ndërsa ndryshimet e shpejtësisë dhe të dinamikës shprehin emocione të ndryshme, nga qetësia deri te entuziazmi.

Orkestrimi i pasur simbolizon larminë kulturore dhe pasurinë shpirtërore të Rumanisë. Kulmi i fuqishëm i veprës përcjell krenarinë kombëtare, bashkimin dhe energjinë kolektive. Përmes tingujve, vepra komunikon simbole të kulturës, traditës, gëzimit dhe identitetit rumun, pa pasur nevojë për fjalë.

Semiotika e veprës “Pini di Roma” të Ottorino Respighit

“Pini di Roma” – “Pishat e Romës” – është një poemë simfonike në katër pjesë për orkestër, e përfunduar në vitin 1924 nga kompozitori italian Ottorino Respighi. Ajo është e dyta në ciklin e tri poemave të tij simfonike kushtuar Romës, pas “Fontane di Roma” të vitit 1916 dhe para “Feste Romane” të vitit 1928.

Pishat e Romës simbolizojnë qëndrueshmërinë, historinë dhe përjetësinë e qytetit. Katër pjesët e veprës paraqesin vende dhe momente të ndryshme të jetës romake, secila me kuptimin e vet simbolik. Kontrasti ndërmjet qetësisë dhe fuqisë përfaqëson kalimin e kohës, nga kujtimet e së kaluarës deri te madhështia e Romës.

Përdorimi i ngjyrave orkestrale krijon imazhe muzikore të natyrës, historisë dhe jetës urbane. Marshi triumfal në fund simbolizon lavdinë, fuqinë dhe trashëgiminë e Perandorisë Romake. Në aspektin semiotik, vepra i përdor tingujt si simbole për të treguar historinë, natyrën, kujtesën dhe madhështinë e Romës, duke krijuar një rrëfim pa fjalë.

Muzika bashkon kulturat dhe popujt

Këngët tradicionale shkodrane përmbajnë tekste poetike, të mbushura me tema dashurie, pranvere, malli dhe bukurie të qytetit. Vargjet dhe shprehjet poetike të këngëve të njohura shkodrane pasqyrojnë frymën e kësaj trashëgimie të pasur muzikore.

“Rapsodia Rumune nr. 1” e Enescut fillon ngadalë dhe qetë, më pas bëhet gjithnjë e më e shpejtë dhe më e fuqishme deri në përfundim.

Interpretimi i “Pishave të Romës” të Respighit, siç u shpreh dirigjenti Sulejmani, përbënte një ngjarje artistike dhe historike për Shkodrën dhe Shqipërinë. Në lozhat e Teatrit “Migjeni”, së bashku me orkestrën, interpretuan edhe instrumentistët e tunxhit.

“Pishat e Romës” mund të përfytyrohet si një agim i mjegullt mbi një rrugë të lashtë, ku një ushtri fantazmë romake marshon përpara, drejt një lindjeje dielli të zhurmshme dhe të ndritshme.

Muzika pikturon me tinguj, njësoj si piktura me ngjyra, dhe bashkon kulturat dhe popujt.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related

Violinisti i njohur shqiptar kapet me 38 kg kokainë dhe një arsenal armësh

Nga Gregory Leclerc, NICE MATINNjë rast i pazakontë ka...

Tentuan të kultivonin kanabis, Policia e Shkodrës sekuestron 2500 fidanë dhe arreston dy persona

Një tentativë për kultivimin e bimëve narkotike është goditur...