Nga Korça në Shkodër, ekspozita “Venetiku” sjell historinë e një studioje fotografike

Publikuar me datë:

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” në Shkodër ka çelur ekspozitën “Venetiku: Gjurmëve të një fondi fotografik”, kuruar nga Mikaela Minga. Ekspozita sjell për publikun historinë e studios fotografike Venetiku në Korçë, duke zbuluar përmes fotografive dhe dokumenteve arkivore veprimtarinë e saj, historinë e familjes dhe lidhjen me zhvillimet shoqërore e politike të kohës.

Një vëmendje e veçantë i kushtohet Krisanthi Venetikut, përfaqësueses së fundit të studios, ndërsa materialet e ekspozuara dëshmojnë edhe përndjekjen politike që përjetuan pjesëtarë të familjes gjatë regjimit komunist. Përmes kësaj ekspozite, fotografia nuk paraqitet vetëm si krijimtari artistike, por edhe si dëshmi e kujtesës dhe historisë.

Kuratorja Mikaela Minga u shpreh se realizimi i ekspozitës ka qenë një proces sfidues kërkimor, që ka kërkuar gjurmimin e materialeve dhe rindërtimin e historisë së familjes Venetiku. Sipas saj, ekspozita shërben edhe si një mundësi për të reflektuar mbi të shkuarën dhe rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë fotografike.

Ekspozita është realizuar në bashkëpunim me Institutin e Antropologjisë dhe Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, duke ndërthurur kërkimin fotografik me dokumentacionin historik.

Ndërkohë, drejtori i Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, Luçjan Bedeni, bëri të ditur se institucioni po përgatit projekte të reja, të cilat do të prezantohen së shpejti dhe do të lidhen me koleksionin e fotografit me famë ndërkombëtare Gjon Mili.

“Venetiku: Gjurmëve të një fondi fotografik” është ekspozita e katërt e organizuar gjatë këtij viti në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”. Programi i aktiviteteve do të vijojë edhe në muajin dhjetor me një tjetër ekspozitë, duke pasuruar kalendarin kulturor të qytetit dhe duke sjellë në vëmendjen e publikut vlera të trashëgimisë fotografike shqiptare.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related