Parandalimi i dhunës, bullizmit dhe trafikimit, si dhe mbrojtja nga rreziqet në internet, janë temat kryesore të takimeve informuese që po zhvillohen me nxënësit në kuadër të programit “Siguria e të Rinjve”.
Specialisti i Policisë së Shtetit, Pëllumb Deda, zhvillon biseda ndërgjegjësuese me nxënësit e shkollave 9-vjeçare, duke i njohur ata me rreziqet që mund të hasin në jetën e përditshme, brenda ambienteve shkollore apo gjatë përdorimit të internetit.
Gjatë këtyre orëve, nxënësit informohen mbi mënyrat e identifikimit të situatave të rrezikshme dhe hapat që duhet të ndërmarrin për t’u mbrojtur. Një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe përfshirjes aktive të tyre në diskutime, për të nxitur ndërgjegjësimin dhe reagimin e duhur përballë rasteve të dhunës apo formave të tjera të abuzimit.
Përmes këtij programi synohet forcimi i kulturës së sigurisë te të rinjtë dhe pajisja e tyre me njohuritë e nevojshme për të parandaluar rreziqet, si në shkollë, ashtu edhe në mjedisin digjital.

