Péter Nádas, një nga figurat më të spikatura të letërsisë evropiane bashkëkohore dhe një nga shkrimtarët më të shquar hungarezë, ka ndërruar jetë në moshën 83-vjeçare.
Botuesi i tij konfirmoi lajmin, duke njoftuar se Nádas ndërroi jetë në banesën e tij në Gombosszeg, një fshat në jugperëndim të Hungarisë, ku ai kishte zgjedhur të jetonte i tërhequr nga jeta publike prej shumë vitesh.
I lindur në Budapest më 14 tetor 1942, Nádas i mbijetoi Holokaustit bashkë me familjen, duke u fshehur dhe përdorur dokumente të rreme. Megjithatë, origjina hebraike e familjes së tij nuk u bë kurrë pjesë e diskutimeve familjare gjatë fëmijërisë së tij.
Të dy prindërit ishin të përkushtuar ndaj bindjeve komuniste, por më vonë përjetuan zhgënjim ndaj kësaj ideologjie. Nëna e tij u nda nga jeta si pasojë e një sëmundjeje kur Péteri ishte vetëm 13 vjeç, ndërsa tre vite pas kësaj, babai i tij kreu vetëvrasje.
Nádas nisi karrierën në gazetari në vitin 1965, një profesion të cilin e ushtronte deri më 1969, përpara se të përkushtohej plotësisht letrësisë.
Romanin “Një libër kujtimesh”, që i solli atij njohje ndërkombëtare, Nádas e shkroi për gati 12 vjet. Kjo vepër prej rreth 1300 faqesh shënoi një moment vendimtar në rrugëtimin e tij letrar dhe konsiderohet një nga romanet më të rëndësishme të shekullit XX në Europë.
Ndër arritjet e tij të tjera të mëdha është edhe romani “Histori paralele”, një projekt ambicioz për të cilin autori punoi 17 vjet. Ky libër, me mbi 1000 faqe, vë në qendër personazhe dhe ngjarje nga periudha të ndryshme historike, duke thurur një univers të gjerë dhe kompleks letrar.
Gjatë krijimtarisë së tij, Nádas trajtoi temat e Evropës së shekullit XX, pasojat e luftërave dhe regjimeve, kujtesën, dëshirën dhe marrëdhëniet njerëzore. Trupi dhe përvoja fizike shpesh zënë një vend të veçantë në librat e tij.
Ai është gjithashtu autor i kujtimeve “Detaje të shkëlqyera”, një vepër në dy pjesë që përballet thellësisht me historinë personale dhe trashëgiminë e kujtesës familjare e kolektive.
Që prej vitit 1984, Nádas jetonte në Gombosszeg, në një shtëpi tradicionale fshati prej argjile dhe druri, së bashku me bashkëshorten e tij, Magda Salamon.
Gjatë viteve të fundit, Péter Nádas përmendej vazhdimisht mes kandidatëve për Çmimin Nobel në Letërsi. Në vitin 2025, megjithatë, ky çmim iu akordua një tjetër shkrimtari hungarez, László Krasznahorkai.
Përmes veprave monumentale dhe stilit të tij të veçantë, Péter Nádas i lë trashëgimi letërsisë evropiane një nga portretet më të thelluara të historisë së trazuar të shekullit XX.

